Neuer: Rëndësi ka fitorja – ndaj skuadrave nga Amerika e Jugut nuk ka kurrë ndeshje të lehta

Portieri legjendar i Bayern Munchen dhe përfaqësueses së Gjermanisë, Manuel Neuer, ka folur pas fitores 2:1 që skuadra bavareze regjistroi ndaj Boca Juniors, në ndeshjen e vlefshme për Kupën e Botës për Klube që po zhvillohet në SHBA.
Neuer theksoi se ndeshjet ndaj skuadrave nga Amerika e Jugut gjithmonë janë sfiduese dhe kërkojnë përqendrim maksimal, por sipas tij, më e rëndësishme se gjithçka tjetër është rezultati.
“Rezultati është gjëja më e rëndësishme. Ne ishim skuadra më e mirë në fushë dhe nuk lejuam shumë raste për kundërshtarin. Në këtë turne tashmë është dëshmuar se ndeshjet kundër ekipeve nga Amerika e Jugut nuk janë kurrë të lehta. Jemi të lumtur që e nisëm me gjashtë pikë,” deklaroi Neuer.
Ai foli edhe për atmosferën në stadium pas golit të Boca Juniors, duke theksuar se skuadra e tij e ruajti qetësinë dhe nuk u ndikua nga presioni.
“Në pjesën e parë i hoqëm vrullin kundërshtarit. Goli i tyre e elektrizoi publikun, u bë shumë zhurmë, por ne e ruajtëm qetësinë dhe nuk u lëkundëm. Ndeshjen e radhës ndaj Benfica-s do ta presim me ndjesi të mira dhe synimi është i njëjtë: të marrim tri pikët me një tjetër paraqitje të mirë.”
Me këtë fitore, Bayern Munchen siguron një hap të madh drejt kalimit në fazat e mëtejshme të turneut, ndërsa Neuer konfirmon edhe një herë pse mbetet një lider i padiskutueshëm në fushë dhe jashtë saj.