February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Muriqi synon Evropën me Mallorcan

Vedat Muriqi është i lodhur. Përgatitjet fizike, seancat stërvitore në mëngjes dhe pasdite bëjnë që lojtarët e Mallorcas të jenë të rraskapitur. Kohën prej stërvitjes së parë deri te stërvitja e dytë lojtarët e drejtuar nga trajneri Javier Aguirre e shfrytëzojnë për të pushuar në dhomat e tyre.

“Të gjithë janë duke fjetur, përveç meje që jam duke e bërë këtë intervistë”, ka thënë sulmuesi i Kosovës fillimisht për mediumin spanjoll “IB3”, të hënën.

Sulmuesi i Mallorcas vlerësoi lart transferimin e një prej lojtarëve më të mirë në skuadër në edicionin e kaluar.

“Është e vështirë t’i thuhet jo skuadrës së Paris Saint-Germainit. Brenda një periudhe të shkurtër kohore ai do të jetë një prej lojtarëve më të mirë në botë dhe ne të gjithë do të mund të themi se kemi luajtur me të”, ka thënë Vedat Muriqi për ish-bashkëlojtarin, Kang-in Lee. 22-vjeçari kaloi nga Mallorca te kampioni i Francës. Lee është nga Koreja e Jugut.

Muriqi foli edhe për të ardhmen e tij. Ai e konfirmoi edhe një herë tjetër se dëshiron të qëndrojë te Mallorca dhe se “për momentin” nuk dëshiron të dëgjojë për asnjë ofertë. Prizrenasi nuk dëshiron që klubi spanjoll të jetë në presion për shkak të kësaj çështjeje.

Por, deri në mbyllje të afatit kalimtar të verës kanë mbetur edhe dy muaj.

“Do të largohem vetëm nëse ndonjë klub e paguan klauzolën”, ka thënë Muriqi.

Muriqi te Mallorca ishte huazuar nga Lazio në fund të janarit të vitit 2022, ndërsa në verën e atij viti u transferua përfundimisht për 8 milionë euro.

Klauzola e lirimit të tij është 13 milionë euro tani.

“Pirati” i Mallorcas beson se pavarësisht ndryshimeve në përbërje ekipi do të jetë konkurrues për edicionin e ardhshëm në La Liga.

“Dua që të kem përreth lojtarë kualitativë, por ata lojtarë kushtojnë shtrenjtë”, thotë shtatlarti.

29-vjeçari është ambicioz, por nuk flet për numrin e golave që i kishte realizuar në edicionin e kaluar në La Liga.

Në elitën e futbollit spanjoll Muriqi shënoi 15 gola. Pati edhe tri asistime në 35 ndeshje sa ishte i pranishëm.

Një gol e një asistim e realizoi në dy paraqitje në Kupën e Mbretit.

“Nuk mund të them numra, nuk dua të caktoj numër të golave se sa do t’i shënoj edicionin e ardhshëm”, thotë ylli i Kosovës.

Ambiciet e Muriqit nuk janë vetëm individuale. Ai flet edhe për synimet që ka me klubin.

“Në edicionin e kaluar ishim vetëm një pikë larg arritjes së zonës që dërgon në garat evropiane. Edhe edicionin e ardhshëm duhet të dalim në fushë me këmbë në tokë. Nëse nisim të flasim se do të shkojmë në Ligën e Kampionëve, nuk do të bëjmë gjëra të mira. Nëse fillojmë me nivelin e futbollit që e kemi shfaqur në përfundim të kampionatit, pa dyshim se nuk do të vuajmë dhe mendoj se mund të luftojmë për t’u kualifikuar në Evropë”, është shprehur Muriqi.

Mallorca në edicionin e kaluar përfundoi në vendin e nëntë në tabelë me 50 pikë. Në vendin e tetë ishte Athletic Bilbao që kishte 51 pikë. Osasuna ishte në pozitën që dërgonte në kualifikimet e Ligës së Konferencës. Kishte 53 pikë.

Megjithatë, UEFA e dënoi Osasunan për një ndeshje të dyshuar për kurdisje vite më parë. Dhe vendin e Osasunas e zuri Bilbao, që ishte një pozitë më poshtë.

Muriqi në vitin 2023 pati paraqitje edhe me Kosovën në kualifikimet për “Euro 2024”.

Luajti në të gjitha katër ndeshjet, ndaj Izraelit, Andorrës, Rumanisë e Bjellorusisë.

Gol shënoi kundër Bjellorusisë në disfatën 2:1.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *