Mourinho i hapur për një aventurë të re në Ishull, por jo në Premier League

Jose Mourinho ka lënë të kuptohet se mund të rikthehet në futbollin britanik, por këtë herë jo në Premier League-n angleze, por në Skoci.
Trajneri portugez, i cili ka drejtuar më parë Chelsea-n (dy herë), Manchester United-in dhe Tottenham-in, është shprehur se një mundësi për të marrë drejtimin e Celtic ose Rangers mund ta motivojë në të ardhmen.
Aktualisht, Mourinho është trajner i Fenerbahçes, me të cilën këtë të enjte do të përballet pikërisht me Rangers, në raundin e 1/8 së finales së Europa League.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes, ai u pyet nëse do ta konsideronte një punë në Skoci në të ardhmen. Edhe pse Rangers është aktualisht pa një trajner të përhershëm, Mourinho e përjashtoi mundësinë për momentin, por nuk e mohoi një të ardhme të tillë:
“Në këtë moment, jo, sepse kam një punë. Është një punë që më motivon dhe kërkon besnikëri, por pse jo edhe në të ardhmen?”, tha portugezi.
Mourinho gjithashtu theksoi se, pavarësisht se ‘liga skoceze është dominuar nga Celtic dhe Rangers’, ajo mbetet një kampionat me shumë pasion:
“Pasioni në futboll është gjithçka. Të luash në stadiume dhe gara pa atmosferë nuk ka kuptim. Celtic dhe Rangers janë dy klube të mëdha me histori të jashtëzakonshme, gjithashtu në Evropë. Kam shumë respekt për ta. Ata kanë baza të mëdha tifozësh dhe pritshmëri të mëdha”, shtoi Mourinho. Ai nuk harroi të përmendë trajnerët aktualë të klubeve skoceze, duke vlerësuar Brendan Rodgers te Celtic dhe duke rikujtuar se Barry Ferguson është për momentin në krye të Rangers si trajner i përkohshëm pas shkarkimit të Philippe Clement muajin e kaluar, dhe se vet ai nuk është në kërkim të një punë të re.