Modriç: Kroacia nuk dorëzohet kurrë

“Mund të thuash se ne kemi të njëjtën ADN si Real Madridi sepse vazhdojmë deri në fund dhe nuk dorëzohemi kurrë”, ka thënë kapiteni i Kroacisë, Luka Modric në emisionin televiziv spanjoll EL Chiringuito, siç raporton La Sexta. “Të gjithë shikojnë nga vendet e mëdha, pasi ne jemi një vend i vogël, askush nuk na kushton vëmendje, por ne nuk kemi asnjë problem me këtë, sepse të tjerët janë favoritët dhe ne jemi në hije”.
“Sigurisht që do të donim të përfundonim ndeshjet më herët dhe të mos shkojmë në penallti, por ne jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që është e mundur për të fituar”, ka shpjeguar mesfushori i Real Madridit, i cili komentoi në kuadër të gjysmëfinales së nesërme kundër Argjentinës.
“Natyrisht, Lionel Messi është shumë i madh, ai është lojtari i tyre më i mirë dhe do të kemi shumë vështirësi për ta ndaluar, por jemi të përgatitur dhe do të japim maksimumin. Shpresoj të mjaftojë për të arritur në finale”.