MKRS nënshkruan memorandum me FFK-në, bien poshtë spekulimet

Federata e Futbollit e Kosovës ka nënshkruar sot memorandumin për mbështetje financiare me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2025, duke siguruar vazhdimin e investimeve në zhvillimin e futbollit në vend.

Me këtë rast, hidhen poshtë të gjitha spekulimet lidhur me moslicencimin e FFK-së dhe problemet e mundshme ligjore rreth vertetimeve për përfitimet nga Ligji i Sponsorizimit, duke konfirmuar se federata operon plotësisht në përputhje me legjislacionin dhe standardet e kërkuara nga institucionet përkatëse.

Në ceremoninë e nënshkrimit, përfaqësuesit e federatave sportive, përfshirë drejtorin e financave të FFK-së, Agim Gashi, theksuan rëndësinë e kësaj mbështetjeje për avancimin e projekteve strategjike të sportit kosovar. Ministria e Sportit ka bërë të ditur se për vitin 2025, çdo federatë ka obligim që të paktën 30% të fondit të dedikojë për zhvillimin e sportit femëror, një hap i rëndësishëm drejt rritjes së përfshirjes së vajzave dhe grave në sport.

Shuma e përgjithshme e mbështetjes për të gjitha federatat dhe organizatat sportive këtë vit është afër 8 milionë euro, duke përfshirë edhe Federatën e Futbollit të Kosovës, e cila do të vazhdojë të përforcojë infrastrukturën, programet zhvillimore dhe përfaqësimin ndërkombëtar të ekipeve kombëtare dhe klubeve vendase. Zëvendësministrja Daulina Osmani nënshkroi memorandumet me Komitetin Olimpik të Kosovës, Komitetin Paralimpik, Olimpiadën Speciale të Kosovës, Federatën e Xhudos, Mundjes, Boksit, Aeronautikes, Gjimnastikës, Muay thai, Federatën e Autosporteve, Kickbox, Bodybuilding, Federatën e Padelit, Pikados, Futbollit, Volejbollit, Sportit Shkollor, Shahut, Sportit Universitar, Boullingut,  Esports, Golfit, Motociklizmit, Biliardos, Ragbit, Atletikës, Shenjtarisë, Federatën e Sporteve për të Verbër, Federatën e Skitarisë, Badmingtonit, Kajakimit, Çiklizmit, Taekwondos, të Peshëngritjes dhe Federatën e Tenisit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *