“Me padurim e kam pritur”, Amir Saipi thotë fjalët e para si “dardan”: Jam i lumtur, ndihem mirë

Kombëtarja e Kosovës është grumbulluar gjatë këtyre ditëve për t’u përgatitur për ndeshjet e muajit tetor, ndaj Lituanisë dhe Qipros.
Një fytyrë e re është në kampin “dardan” dhe ai është portieri Amir Saipi, i cili përmes faqes zyrtare të FFK-së ka thënë fjalët e para.
Saipi ndjehet tejet i lumtur që është pjesë e Kosovës dhe të gjithë e kanë pritur ngrohtë sipas tij.
“Së pari, jam shumë i lumtur që jam këtu. Me padurim kam pritur të vija për Kosovën. Të gjithë më kanë pritur shumë ngrohtë. Ndihem mirë që jam këtu dhe vërtetë është kënaqësi pasi kemi një ekip të mrekullueshëm. Sot kisha stërvitjen time të parë. Isha shumë i gëzuar që isha sërish në fushë. Sidomos me kaq shumë lojtarë që kanë vërtet shumë cilësi. Ne kemi lojtarë të mirë këtu në Kosovë që luajnë në një nivel të lartë.
“Mendoj se kjo do të më ndihmoj edhe mua të përparoj. Për këtë arsye jam këtu dhe natyrisht për shkak të dy ndeshjeve. Kemi shumë cilësi në ekip dhe mendoj se nuk na duhet shumë për të fituar ndeshjet. Por thjesht duhet të luajmë me 100% përqendrim të shtunën dhe pastaj të martën, dhe të tregojmë çfarë dimë. Sot në stërvitje treguam cilësitë tona. Nëse vazhdojmë kështu mund t’i mbyllim këto dy ndeshje me gjashtë pikë”, është shprehur Saipi për faqen e FFK-së.
Saipi është pjesë e Luganos në Superligën e Zvicrës dhe në nëntë ndeshje, ai ka pranuar 10 gola dhe ka mbajtur vetëm një herë portën e paprekur.