Mbeumo dhe Maguire e heshtin ‘Anfieldin’, alarm për kampionin!
Manchester United mori një fitore të madhe në derbin e përjetshëm ndaj rivalit historik dhe kampionit aktual, Liverpoolit, duke triumfuar në “Anfield” me rezultat 1:2, në ndeshjen e vlefshme për javën e tetë të Premier League.
Fillim perfekt për “Djajtë e Kuq”
“Djajtë” e hapën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme. Vetëm pas dy minutash lojë, Amad Diallo dhuroi një asist të mrekullueshëm për Bryan Mbeumo, i cili mposhti portierin Mamardashvili nga afërsia dhe i çoi në delir tifozët e United në Anfield.
Skuadra e Djajve të Kuq dukej e organizuar dhe e motivuar, duke krijuar disa raste të tjera të rrezikshme. Bruno Fernandes gjuajti ngjitur me shtyllën, ndërsa Mbeumo pati një tjetër mundësi të artë. Nga ana tjetër, Liverpooli u duk i paqartë në mesfushë dhe arriti të kërcënojë vetëm me disa tentativa sporadike.
Në fund të pjesës së parë, Cody Gakpo goditi shtyllën, por United ruajti epërsinë minimale në pushim (0:1).
Reagimi i Liverpoolit dhe barazimi i Gakpos
Në pjesën e dytë, Liverpooli hyri shumë më fuqishëm. Gakpo përsëri goditi shtyllën, ndërsa Salah kërcënoi me një gjuajtje të fortë. Trajneri Arne Slot reagoi me katër zëvendësime rresht – duke futur në lojë Ekitike, Jones, Chiesa dhe Wirtz – dhe loja mori gjallëri.
Në minutën e 78-të, Federico Chiesa asistoi në mënyrë perfekte për Gakpon, i cili kësaj radhe nuk fali dhe barazoi shifrat në 1:1, duke rikthyer shpresat për vendasit.
Maguire sjell heshtjen në Anfield
Por gëzimi i Liverpoolit zgjati vetëm gjashtë minuta. Në minutën e 84-t, pas një aksioni të ndërtuar me kujdes, Harry Maguire shfrytëzoi asistin e kapitenit Bruno Fernandes dhe riktheu epërsinë e United – 1:2.
Në minutat e fundit, Liverpooli sulmoi me të gjitha forcat dhe Gakpo humbi një rast të artë për barazim, por United u mbrojt me vendosmëri dhe arriti të marrë një fitore të artë në një nga stadiumet më të vështira në botë.
Forma dhe renditja
Kjo është fitorja e dytë radhazi për Manchester United, që tani numëron 13 pikë, vetëm dy më pak se Liverpooli, i cili pësoi humbjen e katërt radhazi në të gjitha garat.
Në javën e ardhshme, Liverpooli do të përballet në udhëtim me Brentfordin, ndërsa Manchester United do të mirëpresë Brightonin në “Old Trafford”.
