Manchester United shkatërron Leicesterin dhe hyn fuqishëm në garë për titull
Manchester Unitedi ka vazhduar formën e mirë edhe në ndeshjen e sotme ndaj Leicester Cityt, të cilën e ka mposhtur me rezultat 3:0, fal edhe një paraqitje mbresëlënëse të Marcus Rashford e Bruno Fernandes.
Pas një fillimi jo të mirë të kampionatit me trajnerin e ri Erik ten Hag, djajtë e kuq filluan të këndellen dhe tani e gjejnë vetën në mesin e tri skuadrave më të mirë në elitën angleze, duke hyrë fuqishëm në garën për titull.
Serinë e golave në Old Trafford e hapi sulmuesi anglez, Rashford, që për momentin është duke kaluar formën më të mirë në karrierë dhe ndoshta është futbollisti më në formë në botë. Ai shënoi pas një asisti shumë të bukur nga Fernandes në minutën e 25-të.
Në pjesën e parë nuk pati më gola, ndërsa në të dytën sërish Rashford doli në skenë duke shënuar për 2:0 në minutën e 56-të, por fillimisht goli u anulua nga gjyqtari anësor për pozitë jashtë loje, por me rishikimin në VAR goli u pranua.
Djajtë e kuq realizuan edhe një herë deri në fund të takimit. kësaj radhe shënoi Jadon Sancho për 3:0, ndërsa për herë të dytë në ndeshje asistoi kapiteni, Fernandes.
Manchester United me këtë fitore renditet e treta në Premierligë me tre pikë më pak se Manchester City i vendit të dytë dhe pesë më pak se lideri Arsenali, por topçinjtë kanë një ndeshje më pak të zhvilluar.
Ndeshja e radhës për të drejtuarit e Ten Hag është në Ligën e Evropës, ku do të përballen me Barcelonën në ndeshjen e kthimit për një vend në 1/8 e finales, pasi ndeshja e parë përfundoi me rezultat të barabartë 2:2.
