Man. City me kthesë spektakulare mposhtë Tottenhamin

Manchester City duket se nuk është ende gati ta “fshijë” veten nga gara për titull në Premier League, pasi me një rikthim të pabesueshëm në pjesën e dytë arriti të përmbysë deficitin 0:2 për triumfin 4:2 ndaj Tottenhamit, që e afron skuadrën e Guardiolës në pesë pikë me Arsenalin (që ka një ndeshje më pak).
Situata për skuadrën e Pep Guardiolës nuk dukej e mirë pas 45 minutave të para. Në minutën e 44-të, Dejan Kuluszewski shfrytëzoi një gabim në mbrojtje për të kaluar Tottenhamin në epërsi 1-0, derisa dy minuta më vonë pas përpjekjes së Harry Kane, Emerson Royal shënoi 0-2.
Megjithatë, City doli me energji të pabesueshme në pjesën e dytë për një kthesë të çmendur. Julián Alvarez ngushtoi rezultatin në 1:2 në minutën e 51-të, kurse vetëm tre minuta më vonë Erling Haaland shënoi golin e barazimit.
Lojtari vendimtar ishte Riyad Mahrez me golin e minutës së 63-të, ndërsa i njëjti lojtar në minutën e 89-të e vulosi fitoren e Cityt pas një aksioni të shpejtë dhe një reagimi të keq të mbrojtjes së skuadrës së Antonio Contes.
Kjo humbje, e dyta radhazi e tyre pas Arsenalit në derbin e madh, e lë Tottenhamin në vendin e pestë me 33 pikë, pesë pas Newcastle-it të vendit të katërt dhe me një lojë më pak.