Malisheva me fitore bindëse në Prizren

Malisheva ka shënuar fitore të thellë në Prizren, në kuadër të xhiros së 26-të të elitës së futbollit të Kosovës.
Malisheva e drejtuar nga trajneri Qëndrim Kida, fitoi me rezultatin 3:0 ndaj Lirisë në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi”.
Drilon Hazrollaj me asistim të Etnik Brrutit shënoi për 1:0 në minutën e 13-të.
Për Hazrollajn ishte goli i 18-të në elitën e futbollit kosovar. 18-të gola i ka edhe Muhamet Hyseni i Llapit.
Epërsinë e mysafirëve e dyfishoi vetë Brruti në minutën e 70-të. Brrutit edhe në minutën e 51-të iu anulua një gol nga VAR-i.
Ndërkohë golin për 3:0 e shënoi qendërmbrojtësi Agon Xhaka, që u asistua nga Arbër Pira.
Për Malishevën është fitorja e dytë e njëpasnjëshme në Superligë, ndërsa Liria humbi për herën e katërt rresht.
Liria me vetëm një fitore në edicionin aktual, shtatë barazime e 18 humbje, zë vendin e fundit me 10 pikë.
Malisheva ndërkohë forcohet në pozitën e katërt me 47 pikë.