Maldini: Interi e meritoi, Milani nuk është gati të konkurrojë në 2 fronte

Hidhërim i përzier me vetëdije. Paolo Maldini, me elegancën dhe kthjelltësinë e tij të zakonshme, analizon eliminimin e Milanit në gjysmëfinalet e Champions League nga Interi. Ai e bëri këtë duke folur për ‘Sky’ dhe ‘Mediaset’, ku theksoi arsyet e nokautit të dyfishtë me zikaltrit në kulmin e sezonit:
“Interi e meritoi finalen, por mendoj se rruga jonë në Champions League ishte fantastike dhe e papritur. Humbja ndaj Interit e bën atë të duket negative. Ne nuk jemi ende gati të garojmë në 2 fronte, lojtarët kanë humbur energjinë.
Champions-i, sidomos në nivel psiko-fizik kërkon të kesh aftësi të pamata. Ne nuk jemi ende gati, është çështje kohe. Në gjysmëfinalen e parë hymë me shumë frikë, gjithçka është eksperiencë dhe do të na shërbejë në të ardhmen”.
Maldini nënvizoi filozofinë e kursit të ri të kuqezinjve: “Gjithmonë mbaj mend se nga ia filluam. Do të ishte shumë më e lehtë të shkoja te lojtarë si Dybala në merkato, por nuk është kjo filozofia e pronarëve tanë. Kur zgjedh lojtarë të talentuar, rrezikon.
Kështu ishte për Tonalin në vitin e parë dhe tani për De Keteleaere, por kjo është ideja jonë për futbollin dhe për të investuar. Në një rast tjetër do të kisha bërë merkato ndryshe, por kjo është ideja jonë. Edhe pse jemi të vetëdijshëm që jemi Milani.
“Ne kemi lojtarë që duhet të rriten. Kur mbështetesh te lojtarët që nuk kanë përvojë, ata vuajnë. Pastaj nuk jemi në një periudhë të mirë, luajmë më dobët se vitin e kaluar, ku e meritonim ta fitonim titullin. Interi ishte më i mirë se ne mes Superkupës dhe Ligës së Kampionëve”.
Tani, të gjitha bateritë fokusohen në finishin e kampionatit, në të cilin Maldini beson: “Si do ta vlerësoja sezonin e Milanit me kualifikimin në Champions League e ardhshme? Do t’i vendosja notën 8”.