Luis Enrique: PSG ka mentalitet fituesi
PSG rikthehet te fitoret në Ligue 1 pas një barazimi zhgënjyes 1‑1 ndaj Lorient-it gjatë mesjavës. Kampionët e Francës triumfuan në minutën e fundit kundër Nice-s, falë një goli vendimtar të Gonçalo Ramos në minutën e 95-të.
Trajneri Luis Enrique komentoi para mediave performancën e skuadrës dhe theksoi rëndësinë e menaxhimit të ndeshjes deri në sekondat e fundit.
“E merituam fitoren për atë që dhamë gjatë ndeshjes. Duhet të dish si të menaxhosh çdo fazë të ndeshjes. Jemi mësuar të kemi topin, kjo është forca jonë. Është e rëndësishme për ne të marrim këtë rezultat”, tha Enrique.
Trajneri spanjoll lavdëroi gjithashtu edhe mbështetjen e tifozëve, të cilët sipas tij japin shembull për skuadrën me energjinë dhe përkushtimin e tyre deri në minutën e fundit.
“Duke parë që tifozët tanë gjithmonë kanë këtë mentalitet, duke kënduar edhe në minutën e 94-të, duhet të luftojmë siç bëmë. Në fund, mendoj se bëmë gjithçka që na duhej për të fituar ndeshjen. Futja e Ousmane dhe Gonçalo ishte e rëndësishme, por e gjithë skuadra bëri një punë të shkëlqyer”, tha tutje ai.
Me këtë fitore dramatike në sekondat e fundit, PSG mban ritmin në krye të Ligue 1 dhe konfirmon mentalitetin e skuadrës kampione, të gatshme për çdo sfidë në sezonin e ri.
