Llapi i pandalshëm – e thyen Malishevën dhe largohet nga zona e rrezikut

Llapi po kalon formën më të mirë të sezonit. Pas fitoreve ndaj Gjilanit dhe Feronikelit 74, skuadra nga Podujeva e regjistroi triumfin e tretë radhazi, duke mposhtur Malishevën me rezultat 3:1 në kuadër të xhiros së 30-të të Superligës së Kosovës në futboll.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ku mysafirët treguan efikasitet të lartë në fundin e pjesës së parë. Ardit Tahiri zhbllokoi rezultatin në minutën e 45+4, pas një aksioni të rrjedhshëm. Pavarësisht dyshimeve për pozitë jashtë loje, goli u konfirmua nga sistemi VAR. Vetëm një minutë më pas, Valmir Veliu dyfishoi epërsinë pas asistimit të Elvir Gashijanit.
Malisheva reagoi në pjesën e dytë me golin e Laurent Xhylanit në minutën e 52-të, pas një goditjeje me kokë që e riktheu disi lojën në ekuilibër.
Por në minutën e 82-të, Gashijani vulosi fitoren e Llapit me golin e tretë për ekipin e tij, pas një asistimi të saktë nga Tahiri. Edhe ky gol u rishikua dhe u miratua nga VAR-i.
Momente tensioni u panë në minutat e fundit kur mesfushori Besar Musolli u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari Dardan Çaka. Musolli reagoi ndaj sulmuesit të Malishevës, Fatjon Bunjaku, i cili u përpoq ta ngrinte Gashijanin në këmbë me forcë, ndërkohë që ky i fundit ankohej për një lëndim.
Fitorja e Llapit i sjell skuadrës së Tahir Batatinës një ngritje të ndjeshme në tabelë – tani renditet në vendin e pestë me 39 pikë, vetëm një më shumë se Prishtina dhe Gjilani që kanë një ndeshje më pak të zhvilluar. Llapi është tashmë tri pikë larg zonës së barazhit, ku ndodhet Dukagjini me 36 pikë.
Në xhiron e radhës, Llapi do të luajë më 23 prill ndaj Drenicës në ndeshjen kthyese të Kupës së Kosovës – duke mbrojtur fitoren 2:0 nga ndeshja e parë në Podujevë.
Ndërkohë, të dielën luhen ndeshjet Suhareka – Drita dhe Prishtina – Ferizaj, kurse të hënën zhvillohen përballjet Gjilani – Dukagjini dhe Feronikeli 74 – Ballkani. Të gjitha ndeshjet nisin në orën 15:00.