Llapi fiton në Ferizaj, Suhareka thellon krizën e Niklit

Skuadra e Suharekës ka vazhduar me fitore këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Të shtunën, Suhareka e ka mposhtur në shtëpi Feronikelin 74 me rezultatin 2:0 në kuadër të javës së gjashtë të elitës së futbollit kosovar.
Të dy golat e Suharekës i realizoi sulmuesi Mevlan Zeka. Për 1:0 Zeka shënoi nga një penallti e diskutueshme në fund të pjesës së parë. Ndërsa në minutën e 57-të, Zeka e shënoi golin e dytë personal dhe të fundit në ndeshje për skuadrën suharekase.
Feronikeli 74 ende nuk ka arritur që të sigurojë pikë nga gjashtë ndeshje të zhvilluara.
Për Suharekën ishte fitorja e katërt këtë edicion, kurse ka edhe një barazim në pesë ndeshje të zhvilluara.
Në ndeshjen tjetër të së shtunës, Llapi arriti një fitore të rëndësishme në udhëtim ndaj Ferizajt, duke triumfuar me rezultat minimal 0:1. Golin e vetëm të takimit e realizoi Ahmed Januzi në minutën e 72-të, duke i siguruar skuadrës nga Podujeva një fitore të vlefshme jashtë fushe.