Llapi fiton në Drenas, Ferizaj merr një pikë në Malishevë

Llapi ka regjistruar fitoren e parë të sezonit në Albi Mall Superligë, duke triumfuar me rezultat 2:0 si mysafire ndaj Feronikelit 74 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas. Pas barazimit në ndeshjen e parë me Gjilanin, skuadra e trajnerit Tahir Batatina arriti të sigurojë tri pikët e para falë golave të realizuar në pjesën e dytë. Elvir Gashijani hapi serinë e golave në minutën e 63-të, ndërsa Ahmed Januzi vulosi fitoren në minutën e 87-të, pas një gabimi në mbrojtjen e Feronikelit. Pavarësisht disa mundësive për të kaluar në epërsi, përfshirë një penallti të humbur nga Nikolaos Ioannis në minutën e 28-të, skuadra e Shefki Kuqit nuk arriti të marrë rezultat pozitiv.

Në ndeshjen tjetër të ditës, Malisheva dhe Ferizaj ndanë pikët pas një barazimi 1:1 në stadiumin “Liman Gegaj”. Malisheva kaloi në epërsi falë golit të Fatjon Bunjakut në minutën e 40-të, por Ferizaj arriti të shmangë humbjen me një supergol të shënuar nga Redon Syla në minutat e fundit të kohës shtesë, duke siguruar një pikë të rëndësishme për ekipin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *