Llapi fiton ndaj Dukagjinit me dy golat e Muhamet Hysenit

Muhamet Hyseni ka shënuar edhe dy gola tjerë për skuadrën e Llapit, që e realizoi fitoren e dytë në stinorin pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.

Llapi të dielën në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë e mposhti Dukagjinin e Klinës me rezultatin 2:1.

Ndeshja i ka takuar xhiros së 20-të të elitës së futbollit kosovar.

Në minutën e nëntë, Besir Iseni i Dukagjinit u përjashtua nga loja me karton të kuq pasi preku me dorë topin që po shkonte drejt golit. Penalltia u konfirmua me VAR.

Sulmuesi Hyseni shënoi nga penalltia në minutën e 10-të të ndeshjes për 1:0.

Ndërkohë, për 2:0 realizoi në minutën e 57-të, pas asistimit të Arbnor Ramadanit.

Dukagjini ngushtoi rezultatin nga penalltia kur shënoi Vitor Hugo.

Edhe penalltia e mysafirëve u dha pas rishikimit të situatës në VAR.

Për Dukagjinin ishte disfata e parë në pranverë, pas fitores ndaj Dinamos në Kupë dhe Malishevës në Superligë.

Llapi forcohet në pozitën e dytë me 40 pikë, katër më pak se Ballkani lider.

Dukagjini mbetet në pozitën e gjashtë me 27 pikë.

Në xhiron e 21-të, Llapi udhëton te Fushë Kosova, teksa Dukagjini e pret Lirinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *