Liverpool triumfon në “Old Trafford”, mposht “Djajtë e Kuq” me rezultat bindës

Liverpooli tregoi forcën dhe dominimin e tij në një nga ndeshjet më të mëdha të Premier Ligës, duke mposhtur Manchester Unitedin me rezultat 3-0 në Old Trafford, në xhiron e tretë të kampionatit. Ndeshja filloi me një moment tensioni, kur në minutën e 7-të, Trent Alexander-Arnold shënoi një gol për Liverpoolin, por pas një rishikimi nga VAR-i, goli u anulua për pozicion jashtë loje.

Megjithatë, Liverpooli nuk e humbi përqendrimin dhe vazhdoi të sulmojë. Dominimi i tyre u shpërblye në minutën e 35-të, kur Luis Díaz kaloi skuadrën e tij në epërsi pas një asistimi nga Mohamed Salah. Vetëm shtatë minuta më vonë, Díaz shënoi përsëri, sërish i asistuar nga Salah, duke dyfishuar avantazhin e Liverpoolit përpara pushimit të pjesës së parë. Në të dyja rastet fajtor ishte Casemiro, i cili bëri pasime të gabuara.

Në pjesën e dytë, Liverpooli vazhdoi me të njëjtin intensitet. Në minutën e 56-të, Mohamed Salah përmbylli një sulm të shpejtë, duke e dërguar topin në rrjetë pas një asistimi të bukur nga Dominik Szoboszlai, duke vulosur fitoren e “The Reds” me rezultatin 3-0.

Kjo fitore e rëndësishme në Old Trafford jo vetëm që siguroi tri pikë të vlefshme për Liverpoolin, por gjithashtu tregoi fuqinë e skuadrës së trajnerit Arne Slot.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *