Liverpool triumfon ndaj Milanit në ‘San Siro’, Lille i Zhegrovës pëson humbje

Liverpooli e nisi në mënyrë mbresëlënëse sezonin e ri të Ligës së Kampionëve duke mposhtur Milanin në San Siro me rezultat 1-3. Ky ishte një nga përballjet më të pritura të mbrëmjes në elitën evropiane, dhe ndonëse Milani shënoi herët, gjiganti anglez tregoi klasin e tij për të përmbysur rezultatin.
Ndeshja nisi idealisht për vendasit, pasi Milani kaloi në epërsi që në minutën e 3-të. Christian Pulisic, pas një aksioni të gjatë nga gjysma e fushës, shfrytëzoi një hapësirë në mbrojtjen e Liverpoolit dhe shënoi për 1-0, duke ngritur në këmbë tifozët në Milano. Alisson nuk mundi të bënte asgjë për të ndalur goditjen e fuqishme të sulmuesit amerikan.
Por reagimi i Liverpoolit nuk vonoi. Skuadra e drejtuar nga Arne Slott u kthye shpejt në lojë, duke barazuar rezultatin në minutën e 23-të përmes mbrojtësit Ibrahima Konate. Pas një këndoreje, Konate kërceu më lart se të gjithë dhe e drejtoi topin me kokë në rrjetën e Milanit. Vetëm disa minuta para fundit të pjesës së parë, kapiteni Virgil van Dijk përmbysi gjithçka me një goditje të saktë po ashtu pas një aksioni të gjatë, duke e çuar Liverpoolin në avantazh 1-2.
Në pjesën e dytë, Milani tentoi të rikthehej në lojë dhe shtyu për një gol të barazimit, por Liverpooli qëndroi i fortë në mbrojtje dhe priti momentin e duhur për të ndëshkuar. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Dominik Szoboszlai, qëndroi i qetë përballë portierit dhe e trefishoi epërsinë për “të kuqtë” në minutën e 72-të. Ky gol i vulosi fitoren për Liverpoolin, që menaxhoi me lehtësi pjesën e mbetur të ndeshjes.
Liverpooli e mbylli ndeshjen me një fitore të merituar, duke marrë tre pikë të rëndësishme që i japin një start të shkëlqyer sezonit të ri në Ligën e Kampionëve. Në xhiron e ardhshme, “të kuqtë” do të përballen me Bolonjën, ndërsa Milani do të kërkojë fitoren e parë këtë sezon në sfidën ndaj Bayer Leverkusenit.
Sporting triumfon ndaj Lille
Ndërkohë, një tjetër ndeshje interesante e mbrëmjes ishte ajo mes Sportingut dhe Lille. Skuadra portugeze arriti një fitore të pastër 2-0 ndaj francezëve, të cilët u detyruan të luanin me një lojtar më pak që nga minuta e 40-të, kur Andre Gomes u përjashtua me karton të kuq. Golin e parë për Sportingun e realizoi Viktor Gjokeres në minutën e 38-të, ndërsa rezultatin e vulosi Debas në minutën e 66-të.
Në xhiron e ardhshme, Sporting do të vizitojë PSV-në, ndërsa Lille pret kampionët në fuqi, Real Madrid, që mposhti Stuttgartin me rezultat 3-1.