Ligjëruesi spanjoll i kënaqur me nivelin e gjyqtarëve: Gabimet ndodhin, jo vetëm në Kosovë

Instruktori i mirënjohur i UEFA-s, spanjolli David Fernández Borbalán, i cili ka ndarë përvojën e tij të gjatë dhe të vlefshme me gjyqtarët kosovarë në seminarin që FFK ka organizuar në Durrës, është ndarë i kënaqur me nivelin dhe përkushtimin e gjyqtarëve kosovarë.

Në fokus të sesioneve të spanjollit ishte përmirësimi i vendimmarrjes dhe analiza e situatave të ndërlikuara në ndeshje, duke vënë theksin në ndarjen e drejtësisë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Në një intervistë për faqen zyrtare të FFK-së, Borbalán u shpreh: “Kam kaluar disa orë me gjyqtarët dhe vërtet reagimi i tyre ishte shumë pozitiv. Jam shumë i kënaqur sepse, në përgjithësi, të gjitha vendimet që më treguan se i kishin marrë në ndeshje ishin në përputhje me rregullat që ndjekin. Po flasim për nivelin më të lartë të gjyqtarëve në vend. Prandaj, prisja me të vërtetë një nivel të lartë dhe pikërisht këtë e treguan sot. Përshtypja që pata pas sesionit ishte shumë e mirë”.

Ai vuri në pah përkushtimin e gjyqtarëve për t’u përmirësuar dhe theksoi gjithashtu rëndësinë e përdorimit të teknologjisë VAR: 

“Gabimet janë diçka që ndodhin jo vetëm në futbollin e Kosovës, dhe ne ishim të lumtur t’i diskutonim ato. Kjo është arsyeja pse organizohen këto ligjërata. Kur je gjyqtar, gjithmonë ke frikë sepse është një rol i rëndësishëm. Tani ka VAR, dhe gjëja më e rëndësishme ishte VAR-i. Në rast se bëhet një gabim, unë gjithmonë them në Spanjë, ashtu si në çdo vend, mund të përmirësohesh”, shtoi ai.

Seminari përfundon nesër me testet fizike të gjyqtarëve, një komponent i domosdoshëm ky për t’u siguruar që ata do të jenë të përgatitur në çdo aspekt për sfidat e stinorit pranveror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *