Laporta i dha 750 mijë euro djalit të Negreiras, por premton: Do të shpjegojmë gjithçka
Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta bëri të ditur përmes një deklarate për publikun se do të shpjegojë të gjitha paqartësitë rreth skandalit me pagesat e kompanisë së ish-nënkryetarit të organizatës së arbitrave në Spanjë, Jose María Enriquez Negreira, pasi mediat spanjolle pretenduan se i ka paguar 750 mijë euro djalit të Negreiras.
Përmes një video postimi në llogarinë e Barcelonës në “Twitter”, Laporta u zotua se do ta mbrojë klubin nga sulmet.
Barcelona i pagoi 7 milionë euro kompanisë së Negreiras për një periudhë 20-vjeçare, çështje që tashmë është nën hetim zyrtar nga prokuroria spanjolle.
“Fushata që po e shohim nuk është e rastësishme dhe qëllimi përfundimtar është të destabilizojnë klubin në afat të shkurtër dhe të kontrollojnë klubin në afat të mesëm. Do të vijë koha për të shpjeguar se kush, si dhe pse po e bën këtë fushatë. Mos kini dyshim se do të mbrohemi. Por ne edhe do të sulmojmë. Tani duhet të fokusohemi te lojtarët tanë sepse qëllimi i parë është destabilizimi i ekipit”, tha Laporta.
Këto komente vijnë menjëherë pasi dolën dokumente që vërtetojnë se Laporta, si president i klubit në mandatin e tij të parë, i ka paguar djalit të Negreira (atëherë asistent në kombëtaren spanjolle) 750,000 euro për një periudhë gjashtëvjeçare nga 2004 deri në 2010.
