Kupa e Afrikës/ Plotësohen çerekfinalet, Nigeria favorite për trofeun, Bregu i Fildishtë kërkon fitore ndaj Malit

Mund të thuhet se plot gojë se kanë hyrë në fazën “më të nxehtë” të këtij kompeticioni. Prej 13 janarit të këtij viti, në Bregun e Fildishtë po organizohet edicioni i 34-t i Kupës së Afrikës, edicion, që deri më tani ka dhuruar goxha spektakël e surpriza të mëdha, siç ishte eleminimi i Ganës e Algjerisë, në fazën e grupeve, apo eleminimi i Marokut e Senegalit, në raundin e 1/16-ve, të turneut.
Tashmë kompeticioni ka hyrë në fazën e tij më “të nxehtë” atë të çerek-finale, me ekipet e mbetura në “garë” që do të bëjnë çmos për të sjellë trofeun në atdheun e tyre, por me 22 lojtarë në fushë dhe topin e rrumbullakët për të gjitha Kombëtaret nuk do të jetë aspak e lehtë, të paktën kështu ka treguar deri më tani ky edicion i këtij turneu.
Kështu, pas triumfeve ndaj Kamerunit e Nambisë, përfaqësueset e Nigerisë e Angolës do të përballen me njëra-tjetrën, në çerekfinalen e parë të këtij kompeticioni. Padyshim në letër, favoritë janë “Shqiponjat” nigeriane, me “bomberin” e Napoli, Victor Osimhen, që kërkon të udhëheq skuadrën e tij drejt një trofeu të madh, ashtu siç bëri edhe me “gjigantët” italianë, në fitimin e trofeut të 3-të kampion në historinë e tyre.
Ashtu si, përballja Nigeri-Angola, më datën 2 shkurt, ose e thënë ndryshe mbrëmjen e së premtes do të zhvillohet edhe një tjetër përballje çerekfinaleje, ajo mes Republikës Demokratike të Kongos e Guineas, me të parët që eleminuan Egjiptin, pa “faraonin”, Mohamed Salah, ndërsa Kombëtarja e “yllit” të Stuttgart, Serhou Guirassy eleminoi skuadrën e Guines Ekuatoriale dhe tashmë “bomberi” i Bundesliga kërkon një tjetër sukses për të avancuar më tej.