June 2025
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30  
June 5, 2025

Kosova U19 nis përgatitjet për miqësoret ndaj Saksonisë, Bunjaku optimist për rezultate pozitive

Kombëtarja U19 e Kosovës ka nisur fazën përgatitore për dy ndeshje miqësore kundër përfaqësueses së regjionit të Saksonisë (Gjermani), të cilat zhvillohen më 4 dhe 6 qershor.

Këto miqësore do t’i ndihmojnë përzgjedhësit Albert Bunjaku për t’u përgatitur për kualifikimet e Kampionatit Evropian të cilat fillojnë në muajin tetor.

Përzgjedhësi Albert Bunjaku në këtë grumbullim ka ftuar 23 futbollistë, nga të cilët 17 vijnë nga klubet jashtë vendit, si Gjermani, Zvicër, Norvegji etj,ndërsa 3 janë lojtarë vendorë, të cilët e kanë treguar potencialin e tyre me paraqitjet e tyre në muajin mars.

Bunjaku theksoi se përgatitjet kanë nisur me intensitet të lehtë, për shkak të angazhimeve të fundit të disa futbollistëve me klubet e tyre.

“Deri tani gjithçka ka shkuar mirë. Lojtarët janë shumë të angazhuar, intensiteti është i mirë dhe kemi filluar të punojmë në ndërtimin e lojës dhe presingut. Besoj se e kemi cilësinë për të arritur rezultat pozitiv”, tha Bunjaku.

Ai shtoi se, përtej rezultatit, synimi kryesor është që ekipi të përvetësojë filozofinë e lojës dhe bashkëpunimin brenda grupit.

“Këto miqësore janë të rëndësishme për ta zbatuar strategjinë që kemi ndërtuar. Është e nevojshme që futbollistët të udhëheqin filozofinë tonë të lojës –deri tani janë përshtatur mirë, por kemi ende shumë punë për të bërë”, shtoi ai.

Përballë një kundërshtari të panjohur, trajneri mbetet i fokusuar te paraqitja e vetë skuadrës: “Nuk e dimë saktësisht çfarë kualiteti ka kundërshtari, por më e rëndësishme është si do t’i qasemi ne lojës, me çfarë intensiteti dhe qartësie në lojë. Besoj se do të arrijmë rezultat pozitiv”.

Përveç trajnerit, optimist janë edhe futbollistët. Engjell Krasniqi, pohoi se e njeh kundërshtarin por edhe se beson në strategjinë e trajnerit.

“100% duam të fitojmë. I njoh disa nga lojtarët e Saksonisë, pasi kam luajtur kundër tyre. Ata luajnë futboll të shpejtë dhe agresiv, por ne kemi një strategji të fortë që e ka ndërtuar trajneri, dhe besoj se do të fitojmë”, tha Krasniqi.

Ndërkohë, Floni Selimi vlerësoi atmosferën brenda ekipit dardan dhe besimin që ka skuadra në potencialin e vet.

“Atmosfera është shumë e mirë. I njoh shumicën e lojtarëve sepse kemi qenë bashkë në ekipin U17 gjatë kualifikimeve. Tani janë bashkuar edhe futbollistë të tjerë nga Gjermania dhe Zvicra dhe shpresoj se do të ja dalim”, tha Selimi.

Ndeshjen e parë miqësore Kosova e zhvillon të mërkurën (nesër) nga ora 16:00 në Kampin Nacional në Hajvali.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *