May 19, 2025

Kosova triumfon ndaj Ukrainës dhe mban gjallë shpresat për Euro 2026

Kosova ka arritur një fitore dramatike ndaj Ukrainës në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian të hjendbollit “Euro 2026”. “Dardanët” triumfuan me rezultat 31:30 në ndeshjen e zhvilluar të enjten mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë.

Në një atmosferë të zjarrtë dhe përpara një numri të madh tifozësh, Kosova e nisi fuqishëm takimin, duke e mbyllur pjesën e parë me epërsi 16:12. Për një kohë të gjatë, skuadra jonë e mbajti avantazhin edhe në pjesën e dytë, por Ukraina arriti të rikthehet dhe të barazojë rezultatin në minutat e fundit.

Megjithatë, përqendrimi i lartë i lojtarëve kosovarë bëri që Egzon Gjuka dhe kapiteni Valon Dedaj të shënonin golat vendimtarë, duke i dhënë Kosovës një fitore të madhe që e mban në garë për kualifikim.

Me këtë triumf, Kosova ka rritur gjasat për t’u kualifikuar në Kampionatin Evropian, që do të ishte një sukses historik për kombëtaren tonë të hendbollit. Ndeshja i takonte xhiros së tretë të Grupit 6 në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2026”.

Kosova do të përballet sërish me Ukrainën të dielën, por këtë herë në Klaipeda të Lituanisë. Për shkak të pushtimit rus, Ukraina i organizon ndeshjet si vendëse në shtete të tjera.

Dy skuadrat më të mira të grupit sigurojnë automatikisht kualifikimin në “Euro 2026”, ndërsa katër përfaqësueset më të mira nga vendi i tretë, nga gjithsej tetë grupe, gjithashtu do të marrin pjesë në Evropian. Kosova synon ta kap këtë mundësi përmes pozitës së tretë.

Kampionati Evropian i Hendbollit për vitin 2026 do të mbahet në Danimarkë, Suedi dhe Norvegji nga 15 janari deri më 1 shkurt.

Tani, “Dardanët” janë të përqendruar në ndeshjen e radhës dhe do të tentojnë të marrin një tjetër rezultat pozitiv për ta bërë realitet ëndrrën e pjesëmarrjes historike në Evropian.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *