February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

Kosova e mbyll me barazim ndaj Zvicrës, shkruan histori: për herë të parë në plejof për Botëror

Kosova dhe Zvicra u ndanë pa fitues në “Fadil Vokrri”, 1:1, në ndeshjen përmbyllëse të Grupit B në kualifikimet për Kupën e Botës 2026. Rezultati nuk ndryshoi asgjë në renditje: Zvicra e ruajti kreun dhe siguroi kualifikimin e drejtpërdrejtë, ndërsa Kosova e përfundoi garën në vendin e dytë me 11 pikë – duke vulosur suksesin më të madh në histori, kualifikimin në plejofin drejt Botërorit.

Atmosfera ishte e ndezur qysh para startit. Fishekzjarrët shpërthyen në qiell si shenjë falënderimi për rrugëtimin e jashtëzakonshëm të “Dardanëve”, të cilët, për të marrë vendin e parë, duhej të fitonin me gjashtë gola diferencë – një skenar praktikisht i pamundur.

Ndërkohë, zhvillime të tjera tërhoqën vëmendjen në fillim të takimit. Sa herë që kapiteni zviceran Granit Xhaka prekte topin, stadiumi shpërthente në fishkëllima, reagim i tifozëve ndaj deklaratës së tij për zgjedhjet e Leon Avdullahut dhe Albian Hajdarit për të përfaqësuar Kosovën. Të dy futbollistët nuk u aktivizuan, pasi trajneri Franco Foda vendosi t’i ruante nga rreziku i kartonëve para plejofit.

Pjesa e parë ishte e qetë dhe pa shumë raste. Veldin Hoxha provoi me një goditje nga distanca, ndërsa Vedat Muriqi e kërkoi golin me një goditje me kokë. Zvicra kërcënoi vetëm në hapje, duke shfrytëzuar terrenin e rrëshqitshëm.

Pjesa e dytë nisi keq për Kosovën. Ruben Vargas shënoi në minutën e 47-të dhe e vuri Zvicrën përpara. Por Foda reagoi shpejt me zëvendësimet Zabërgja–Hoxha dhe Zhegrova–Asllani, ndërsa pak më vonë edhe Ilir Krasniqi u fut në vend të kapitenit Rrahmani.

Goli nuk vonoi të vinte. Florent Muslija, me një gjuajtje fantastike nga distance, barazoi shifrat në 1:1 në minutën e 74-t. “Dardanët” më pas ushtruan presion për të gjetur golin e dytë, por mungoi qartësia në finalizim.

Te Zvicra u paraqit edhe Andi Zeqiri, i cili gjithashtu u prit me fishkëllima nga tribunat.

Me këtë barazim, Zvicra e mbyll Grupin B me 14 pikë dhe tashmë nis planifikimin për Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Kosova, ndërkohë, hyn në mars me besim të madh: të enjten në ora 13:00 tërhiqet shorti i plejofit, ku më 26 mars luhet gjysmëfinalja e madhe. Objektivi është i qartë – finalja e 31 marsit dhe ëndrra e kualifikimit historik në Kampionatin Botëror.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *