Kosova bjen një pozitë në renditjen e FIFA-s
Kombëtarja e Kosovës në futboll e ka humbur një vend në ranglistën e FIFA-s. Nga pozita e 101-të, Kosova ka rënë në pozitën e 102-të me 1202 pikë. Ranglista e re u publikua të enjten, derisa në rënien e Dardanëve ka ndikuar zhvillimi i dy kompeticioneve gjatë këtij muaji: Kupa e Afrikës dhe Kupa e Azisë, teksa kombëtaret evropiane nuk kanë pasur aktivitet që nga nëntori i vitit të kaluar. Për dy pozita rënie ka pësuar edhe Shqipëria, e cila tani është në vendin ne 64-t me 1382 pikë. Për një pozitë ka rënë edhe Zvicra, ku rregullisht paraqiten kapiteni Granit Xhaka dhe zëvendëskapiteni, Xherdan Shaqiri. Kampionia e botës, Argjentina mbetet në vendin e parë, nënkampionia Franca në pozitën e dytë, ndërsa Anglia në vendin e tretë.
