Kompany: Disa nga lojtarët e rinj treguan se mund të na ndihmojnë këtë sezon
Trajneri i Bayern Munich, Vincent Kompany, është shprehur i kënaqur me paraqitjen e skuadrës së tij pas fitores bindëse 4:0 ndaj Club Brugge, në ndeshjen e fazës së grupeve të Champions League, të mërkurën mbrëma në “Allianz Arena”.
“Ishte një paraqitje e mirë. Ndoshta mund të kishim shënuar më shumë gola, por e mbajtëm portën e paprekur. Në përgjithësi dhuruam një performancë shumë të mirë në shtëpi. Për më tepër, disa nga lojtarët e rinj treguan se mund të na ndihmojnë këtë sezon — kjo ishte e rëndësishme”, deklaroi Kompany.
Tekniku belg theksoi se ekipi duhet të vazhdojë me këtë ritëm edhe përballë kundërshtarëve të mëdhenj që e presin në vazhdim.
“Në ndeshjet e ardhshme kemi rivalë të mëdhenj si PSG dhe Arsenal, por duam ta fitojmë çdo ndeshje. Rruga drejt raundit tjetër nuk është e lehtë, e dimë mirë. Tani duhet të vazhdojmë të marrim pikë në kampionat, kupë dhe Champions. Fituesi i Champions League do të vendoset me kohë, por për ne më e rëndësishme është të përparojmë.”
