February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 13, 2026

Kategorizimi i Federatave sportive, paradoks që kërkon rishikim urgjent

Nga mënyra se si Ministria e Sportit ka kategorizuar federatat sportive në Kosovë, duket se një realitet i çuditshëm po i imponohet sportit më të popullarizuar në vend. Federata e Futbollit e Kosovës është renditur e pesta dhe është futur në Kategorinë B, një grup ku gjendet edhe Federata e Basketbollit, po ashtu mjaft e organizuar dhe sport i ndjekur. Në tri vendet e para të Kategorisë A ndodhen Federata e Xhudos, ajo e Volejbollit dhe e Hendbollit. Për një ndarje të tillë, të gjithë mund të pyesin: A pasqyron kjo vërtet ndikimin dhe rëndësinë e secilës federatë në sportin kosovar?

Përse ka rëndësi kategorizimi?

Ky vlerësim nuk është thjesht një çështje simbolike. Në bazë të kategorizimit, ndahet buxheti shtetëror për federatat sportive. Federatat në Kategorinë A përfitojnë mbështetje më të madhe financiare, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre. Për këtë arsye, renditja e një federate nuk është vetëm një etiketë burokratike, por përcakton edhe të ardhmen e sportit që ajo përfaqëson.

Paradoksi i futbollit – popullariteti i madh, vlerësimi i ulët

Futbolli, i cili është sporti më i ndjekur dhe më i zhvilluar në Kosovë, është vlerësuar me vetëm 83.5 pikë, ndërkohë që sporte me ndjekshmëri shumë më të ulët janë vendosur në Kategorinë A. Më ironikja është se në kriterin e “popullaritetit”, FFK është vlerësuar vetëm me 2 pikë! Po flasim për një federatë që çdo javë sjell stadiume të mbushura, ka mijëra të rinj që luajnë futboll dhe prodhon lojtarë të nivelit evropian, të cilët çdo ditë janë pjesë e lajmeve për transferimet e tyre milionëshe. Si mund të shpjegohet një vlerësim kaq i ulët për një sport që dominoi garat ndërkombëtare që nga pranimi në UEFA dhe FIFA?

Rregullorja duhet rishikuar

Kjo situatë flet për një problem më të thellë në sistemin e kategorizimit të federatave sportive. Nuk është se sportet tjera nuk meritojnë mbështetje, por mënyra e përzgjedhjes së kritereve duhet të jetë e drejtë dhe transparente. Nuk mund të kemi një sistem ku sporti më i ndjekur, më i investuari dhe me më shumë ndikim në ekonominë e sportit vlerësohet në mënyrë kaq të pabarabartë.

Në fund të fundit, është koha që Ministria e Sportit të reflektojë dhe të bëjë një rishikim të sistemit të kategorizimit. Nuk është çështje e favorizimit të një federate ndaj tjetrës, por e ndarjes së drejtë të burimeve për sportet që realisht e meritojnë, dhe duket se Komisioni i krijuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës nuk e bën dot një gjë të tillë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *