Jemi të PRIVILEGJUAR që i kemi dy KOMBËTARE

Shkruan: Ajet SHOSHOLLI

Një komb i ndarë në dy shtete (por jo me fajin dhe dëshirën tonë), pra kemi shtetin e Republikës së Shqipërisë dhe shtetin e Republikës së Kosovës.

Këto ditë në një mënyrë është bërë temë aktuale, se a duhet dy shtetet tona, të kenë dy kombëtare të futbollit apo njëra, në këtë rast Kosova të ketë përfaqësuesen e vet në futboll?

Përfaqësuese Kosova ka pas në ish-Jugosllavi, dhe jo vetëm Kosova por të gjitha ish-Republikat e Jugosllavisë dhe krahina e Vojvodinës i kanë pas përfaqësueset e veta, derisa ish-Jugosllavia si shtet e ka pas kombëtaren e vet.

Natyrisht, besoj që dëshira e të gjithëve apo shumicës së shqiptarëve është që të jetojmë në një shtet të përbashkët, pra që Shqipëria, Kosova, Lugina e Preshevës, Çamëria (dëshirë që nuk varet dhe nuk është në dorën tonë) dhe po të ndodhë kjo, normalisht që do ta kishim një Kombëtare.

Por, derisa i kemi dy shtete, pse Kosova të ketë përfaqësuese e jo Kombëtare? Ky term (përfaqësuese)i konvenon dhe ju shkon përshtati atyre që nuk e njohin dhe nuk e pranojnë shtetin e Kosovës.

Në futboll, praktika i ka treguar – vërtetuar disa parime apo principe, një ndër këto principe është, ku thuhet se: “Sa më thjesht që të luhet futboll, është më së miri” por shumë herë na del të jetë edhe më së vështiri (pra atëherë kur e komplikojmë lojën vet ne).

Pra, edhe në këtë rast, është shumë e thjeshtë, pasi që Kosova është shtet, që normalisht ta quajmë Kombëtarja e Kosovës në futboll.

Kemi edhe raste të tjera konkrete, kur një komb është i ndarë në dy shtete.

Rasti i kombit gjerman (kur për shumë kohë, deri në vitin 1992, deri në rënien e murit të Berlinit) gjermanët i kanë pas dy shtete: Gjermania Perëndimore dhe Gjermania Lindore.

Dhe cila prej tyre e ka quajtur veten përfaqësuese? Asnjëra.

Të dyja i kanë pas Kombëtaret e veta të futbollit.

Rasti i dy shteteve irlandeze: Irlanda dhe Irlanda Veriore.

Cila e quan veten si përfaqësuese? Asnjëra.

Të dyja i kanë Kombëtaret e veta.

A po rasti i dy shteteve të Koresë: Koreja Veriore dhe Koreja Jugore (pa hy në marrëdhëniet e tyre që kanë mes veti), të dyja i kanë Kombëtaret e veta të futbollit.

Mendoj qe ne shqiptarët, jemi të privilegjuar që për momentin i kemi dy Kombëtare: Kombëtaren Kuq e Zi dhe Kombëtaren e Kosovës të cilat po prodhojnë dhe po afirmojnë futbollist në shumë shtete evropiane më shumë sukses.

Dhe shpresoj dhe besoj që në një kohë shumë të afërt, të dyja Kombëtaret tona t’i kemi pjesëmarrëse apo të kualifikohen në evente të mëdha ndërkombëtare, sikur që është evropiani i futbollit ose Kampionati Botëror. Së paku njërën ta kemi në këto gara prestigjioze, në mënyrë që ta prezantojmë me sukses futbollin shqiptar.

Besoj që të gjithë duhet të jemi krenar, që i kemi dy Kombëtare cilësore me futbollist shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *