February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

Hadërgjonaj: Në Bukuresht ishte situatë kaotike; Jemi ende shumë të lënduar

Rumania e fitoi ndeshjen kualifikuese të Evropianit ndaj Kosovës 2:0 të martën mbrëma, por e gjithë vëmendja ishte bartur në tribuna kur huliganët rumunë shfaqën panon anti-Kosovë, “Kosova është Serbi”.

Hadërgjonaj u inkuadrua në lojë nga minuta e 54-t në ndeshjen që përfundoi me fitore të rumunëve, duke e lënë Kosovën pa gjasa për kualifikim tutje.

“Paraprakisht e dinim se të tilla raste mund të ndodhin pasi ndodhën edhe në ndeshjen e parë. Por nuk e kemi pritur deri në këtë masë. Ata u ngritën dhe brohorisnin ‘Kosova është Serbi’. I treguam gjyqtarit për rastin dhe ai vendosi që ta ndërpres ndeshjen deri sa të hiqej panoja, apo të largoheshin ajo pjesë e tifozëve nga stadiumi. Kështu që ne hymë në dhomat e zhveshjes”, ka thënë Hadërgjonaj fillimisht në një intervistë dhënë për mediumin zviceran “20min”.

Pritja e lojtarëve të Kosovës zgjati 50 minuta në teshatore dhe lojtarët nuk e dinin se çfarë do të ndodh. Panoja u hoq, ndërsa gjyqtari ktheu lojtarët e Kosovës në fushë. Por në rast të një incidenti tjetër, atëherë ndeshja do të ndërpritej përfundimisht.

Hadërgjonaj e pranoi se janë munduar që të fokusoheshin në lojë, por rikthimi ka qenë shumë i vështirë.

“Pas rikthimit në fushë, zhurma dhe fishkëllimat ishin të jashtëzakonshme. Më pas gjërat vazhduan qetë dhe pa ndonjë incident tjetër”, ka shtuar Hadërgjonaj, i cili theksoi se ndërprerja për afër një orë pati ndikim në mentalitetin e lojtarëve.

“Nuk e kishim të lehtë për shkak se ndërprerja ishte e gjatë. Gjithçka ishte kaotike. Nuk e di nëse gjyqtari e ndjeu presionin, por edhe nuk duhet të jetë justifikim për humbje. Është turp që nuk i dënuam rumunët dhe t’i mposhtnim. Më lëndon brenda që nuk arritëm t’i heshtnim në aspektin futbollistik”, është shprehur ai.

“Disa lojtarë na kërkuan falje”, ka treguar Hadërgjonaj, i cili foli edhe për shqetësimet që solli panoja te të gjithë lojtarët dhe stafi i Kosovës.

“Njerëzit nuk e dinë se çfarë kuptimi ka ajo pano kundër nesh. Jemi ende shumë të lënduar edhe pse lufta ka qenë shumë kohë më parë. Kemi vuajtur shumë si shtet, si familje, si njerëz. Jam shumë i vetëdijshëm se provokimet janë pjesë e futbollit. Kjo e bën futbollin edhe më të emocionues. Megjithatë, jam i mendimit se provokimet duhet të kenë limite. Unë e mbështesë fuqishëm mbi të gjitha respektin”, ka deklaruar Hadërgjonaj.

29-vjeçari, që është pjesë e Alanyasporit në elitën e futbollit të Turqisë, ka theksuar se incidenti është diskutuar edhe brenda skuadrës.

“Po, në atë mbrëmje ishim në hotel. Jemi në vitin 2023. Nuk shkojmë në ndeshjet si mysafir për të bërë deklarata politike. Ne udhëtojmë për të luajtur futboll, pavarësisht se në cilin shtet. Përndryshe, do të ishim në profesionin për politikë. Fakti që këto gjëra ende ndodhin janë dobësi e UEFA-s dhe FIFA-s. Kjo mund të ndalohet. Nëse e dini, mund të kontrollohet më lehtë, pasi të gjithë kanë qenë të vetëdijshëm se sa i ndjeshëm është ky rast”, tha ai.

Hadërgjonaj ka bërë thirrje që në Kosovë janë të mirëpritur të gjithë, dhe njësoj dëshiron që Kosova të pritet edhe në vendet të cilat nuk e njohin Kosovën.

Foli edhe për barazimin që Kosova e mori me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

“Ishte si fitore për ne. Barazimi ishte i merituar. Zvicra krijoi pak dhe kjo është konfirmim se kemi kualitet. Por, ne kemi lënë shumë pikë në ndeshjet e tjera. Ne kemi nevojë për vazhdimësi të rezultateve pozitive për të luftuar për kualifikim”, ka përfunduar Hadërgjonaj.

Kosova në Grupin I kualifikues të Evropianit ka vetëm katër pikë nga katër barazime. Ka pësuar edhe dy disfata.

Dy ndeshjet e radhës në tetor do t’i luajë kundër Andorrës në udhëtim dhe kundër Izraelit në shtëpi.

Në nëntor luan në udhëtim te Zvicra, ndërsa e mbyll ciklin kualifikues të Evropianit në shtëpi kundër Bjellorusisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *