Haaland tregon çfarë i tha Guardiolës pasi e zëvendësoi
Norvegjezi Erling Haaland ka shkëlqyer mbrëmjen e kaluar në Champions, duke shënuar pesë gola për më pak se një orë sa kaloi në fushën e gjelbër në fitoren kundër Leipzigut, me rezultat 7:0. Megjithatë, atij trajneri Pep Guardiola ia mohoi vendosjen eventuale të rekordit prej 6 golash në një ndeshje të Championsit, duke e nxjerrë nga loja.
Sidoqoftë, Haaland u bë lojtari i tretë në histori që shënoi pesë gola në një ndeshje të Champions League, së bashku me Lionel Messin dhe Luiz Adrianon.
“I thashë Guardiolas se doja të bëja një ‘hat-trick’ të dyfishtë. Por çfarë mund të bëja tjetër kur ai vendosi të më ulte në bankinë”, tha Haaland, duke e sqaruar bisedën me Guardiolën pasi ky i fundit e zëvendësoi.
Ai tutje theksoi se nuk e mban mend se si i ka shënuar të pesë golat.
“Pesë gola nga unë dhe një fitore 7-0 për Manchester Cityn, kjo më bën shumë të lumtur. Kjo është garë shumë prestigjioze. Sinqerisht, nuk më kujtohet se si i kam shënuar të gjithë golat. Jam i fokusuar vetëm në goditjen më të mirë që mundem, do të thotë vetëm të godas, jam i përqendruar vetëm se si të godas. Më vjen mirë që ekipi ka punuar mirë, edhe pse mendoj se mund të luajmë edhe më mirë me presing në disa momente”, shtoi Haaland.
