Haaland ironizon me Guardiolën: Menaxherët e ‘Fantasy Football’ nuk ishin të lumtur që u zëvendësova
Erling Haaland ka qenë sërish protagonist te Manchester City. Sulmuesi norvegjez shënoi dy gola në fitoren 3:1 ndaj Bournemouth-it, në një tjetër paraqitje dominuese të skuadrës së Pep Guardiolës në “Etihad Stadium”.
Norvegjezi u zëvendësua në minutën e 82-të, duke humbur mundësinë për të shënuar një “hat-trick”, por pas ndeshjes zgjodhi të reagojë me ironi.
“Këtë pyetje duhet t’ia bëni Guardiolës. Ata që luajnë ‘Fantasy Football’ me siguri nuk ishin shumë të lumtur që më zëvendësuan. Por për mua më e rëndësishme është që ekipi fitoi”, tha Haaland.
Norvegjezi shënoi golin e avantazhit pas 15 minutash lojë dhe më pas edhe goli e dytë që vendosi rezultatin, duke konfirmuar formën e tij të shkëlqyer.
Pas ndeshjes, ai pranoi se kishte mundësi të realizonte edhe një gol të tretë, por nuk arriti ta konkretizonte kundërsulmin ndaj portierit Petrovic.
“Mund ta kisha mbyllur me tre gola, por e rëndësishme është që fituam. Cherki më dha dy pasime fantastike, të gjithë e dimë sa shumë talent ka. Shpresoj të bashkëpunojmë kështu edhe në ndeshjet e ardhshme”, shtoi Haaland.
Në anën tjetër, trajneri Pep Guardiola nuk e fshehu kënaqësinë për paraqitjen e skuadrës dhe veçanërisht për efektivitetin e Haalandit.
“Luftuam mirë, ishim inteligjentë me topin dhe krijuam shumë raste. Erling ishte përsëri vendimtar. Pa të, do të ishte shumë më e vështirë”, pranoi Guardiola.
Me këtë fitore, Manchester City ruan ritmin në garën për kreun e Premier League. Ndërsa Haaland, me dygolëshin e fundit, konfirmon statusin e tij si lojtari më i rrezikshëm në Angli.
