Grealish: Guardiola do të na tregojë si ta mposhtim Interin

Mesfushori i Manchester Cityt, Jack Grealish, u shfaq shumë i lumtur pas fitores 4:0 ndaj Real Madridit në ndeshjen e dytë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se pak ekipe mund të arrijnë një sukses të tillë përballë “klubit mbretëror”.
“Është e pabesueshme. Javën e kaluar ishim të frikësuar, derisa tash fituam 4:0. Nuk ka shumë skuadra që mund ta mposhtin Real Madridin me një rezultat të tillë. Kur jemi të bashkuar dhe luajmë këtu në ‘Etihad’, jemi thjesht të pandalshëm. Në çdo ndeshje ne përpiqemi të dominojmë me topin. Trajneri ynë është një gjeni dhe jam i sigurt se do të na tregojë se si ta mposhtim edhe Interin. Ata janë një ekip me përvojë. Sigurisht që duhet të jesh një ekip i mirë për të arritur në finale, andaj duhet të kemi respekt maksimal për italianët”, tha Grealish.
Finalja e Ligës së Kampionëve është planifikuar të zhvillohet më 10 qershor në Stamboll.