Gjilani fiton me përmbysje ndaj Llapit, Dukagjini ndal në barazim Ballkanin

Gjilani ka shënuar fitore të madhe ndaj Llapit në ndeshjen e xhiros së dhjetë të Superligës së Kosovës në futboll.
Gjilani të shtunën e mposhti Llapin me rikthim të rezultatit, me dy gola të cilat i shënoi në fundin e ndeshjes brenda një minute.
Ardit Tahiri në minutën e 44-t e shënoi golin e epërsisë për Llapin.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, skuadra e drejtuar nga trajneri Ardian Nuhiu, u kthye fuqishëm.
Blerind Morina dhe Robert Rrahmani shënuan dy gola të shpejtë, në minutën e 84-t dhe të 85-t.
Për Gjilanin ishte fitorja e parë pas barazimit me Dritën dhe humbjes nga Ferizaj, ndërsa Llapi e pësoi humbjen e dytë të njëpasnjëshme. Në xhiron e kaluar, ekipi i udhëhequr nga Tahir Batatina humbi nga Dukagjini.
Gjilani me këtë fitore tani ka 12 pikë në vendin e tetë, ndërsa Llapi mbetet në pozitën e pestë me 14 pikë.
Ballkani kishte shansin për të konsoliduar pozitat në krye të tabelës, por përballë një Dukagjini të fortë dhe të organizuar mirë në mbrojtje, nuk gjeti dot rrugën drejt golit. Ndeshja përfundoi pa gola, me të dy skuadrat që ndanë nga një pikë, duke i lënë kampionët të pakënaqur me rezultatin.