Fushë Kosova shtang Dritën, Ballkani e Llapi fitojnë si mysafirë
Kanë përfunduar tri ndeshjet e sotme në kuadër të javës së 23-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Kampioni në fuqi, Ballkani ka shënuar fitore në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, duke e mposhtur Dukagjinin, me rezultat 2:1.
Meriton Korenica në aksionin e parë të ndeshjes shënoi për epërsinë e mysafirëve pas gjuajtjes së saktë nga zona, kur ishte sekonda e 25-të, që del të jetë goli më i shpejtë i këtij kampionati. Ndërkohë, në minutën e 27-të realizoi Nazmi Gripshi. Dukagjini arriti që të shënojë me Max Rugovën në minutën e 87-të, por nuk arriti që ta marrë një pikë nga ky ballafaqim.
Fitore të rëndësishme si mysafir realizoi edhe Llapi, që në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas e mundir Feronikelin 74, me rezultat 1:0. Golin e vetëm e shënoi Muhamet Hyseni, në minutën e 68-të
Ndërkaq, Fushë Kosova ka shtangur Dritën, duke e mposhtur në Lipjan, me rezultat 1:0. Golin e fitores e shënoi Sinan Sinanoviq në minutën e 87-të. Me këtë humbje Drita bënë një prapaktheu në garën për titull.
