Foda rinovon kontratën me Kosovën deri në vitin 2027
Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar sot vazhdimin e bashkëpunimit me përzgjedhësin e Kombëtares, Franco Foda, duke i zgjatur kontratën deri në fund të vitit 2027.
Marrëveshja e re është nënshkruar më 6 tetor, në ditën e parë të grumbullimit të ekipit për ndeshjet e tetorit, nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe trajneri gjerman. Sipas kushteve të kontratës, ajo do të zgjatet automatikisht në rast se Kosova arrin kualifikimin në Kampionatin Evropian 2028.
Foda mori drejtimin e Dardanëve më 17 shkurt 2024 dhe deri tani ka udhëhequr ekipin në 17 ndeshje, duke regjistruar 11 fitore, 2 barazime dhe 4 humbje. Njëra nga barazimet, ndaj Rumanisë (0:0), më pas u regjistrua zyrtarisht me rezultat 3:0 në favor të Kosovës.
