February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 14, 2026

Foda optimist: Për ne gjithçka është e mundur, grupi do të vendoset në ndeshjen e fundit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka dalë sot para gazetarëve në konferencën për media në ditën e parë të grumbullimit të Dardanëve, para dy ndeshjeve vendimtare të ciklit kualifikues për Kampionatin Botëror 2026, kundër Sllovenisë dhe Zvicrës.
Tekniku gjerman foli me ton optimist për përgatitjet, gjendjen e skuadrës dhe synimet e qarta për kualifikim në “play-off”.

“Që në fillim të kualifikimeve kam thënë se grupi do të vendoset në ndeshjen e fundit. Dhe tani jemi pikërisht në atë situatë. Për ne gjithçka është e mundur. Tani fokusi ynë është të përqendrohemi te ndeshja e radhës kundër Sllovenisë. Aty duhet patjetër të marrim të paktën një pikë, që të sigurojmë pjesëmarrjen në ndeshjet e ‘play-off’-it. Më pas do të shohim tutje”, tha Foda, duke shtuar se lojtarët janë aktualisht në një formë shumë të mirë.

Ai përmendi rikthimin e kapitenit Amir Rrahmani dhe të Lumbardh Dellovës, si një lajm shumë pozitiv për skuadrën.
“Edhe Amir Rrahmani ka luajtur sërish në ndeshjet e fundit për Napolin, po ashtu edhe Lumbardh Dellova. Të dy do të jenë sërish me ne, që do të thotë se kemi më shumë mundësi dhe më shumë alternativa. Shpresoj që të gjithë lojtarët të mbesin të shëndetshëm gjatë kësaj jave, në mënyrë që t’i kemi në dispozicion për ndeshje.”

Mungesa e Aro Muriqit dhe zgjedhja e portierit të ri

Foda foli edhe për mungesën e Aro Muriqit, i cili nuk do të jetë i gatshëm për shkak të pezullimit në ndeshjen e parë.
“Ekipi ynë ka treguar në ndeshjet e fundit kundër Sllovenisë dhe Suedisë se është në gjendje t’i përballojë mungesat. Aro Muriq jo vetëm që ka zhvilluar ndeshje shumë të mira me Sassuolon, por ka qenë shumë i rëndësishëm për ekipin tonë. Megjithatë, ai nuk do të luajë për shkak të pezullimit. Për këtë arsye kemi ftuar katër portierë në këtë grumbullim – Maloku, Bekaj dhe Saipi. Njëri nga këta tre do ta zëvendësojë atë të shtunën, dhe në ditët në vazhdim do të vendosim.”

Rikthimet e rëndësishme: Rrahmani dhe Zhegrova

Në lidhje me gjendjen e Amir Rrahmanit, përzgjedhësi shtoi:
“Kemi parë që pas një pushimi prej dy muajsh për shkak të lëndimit ai është rikthyer dhe vetëm javën e kaluar ka zhvilluar tri ndeshje me Napolin. Tani do të shohim procesin e rigjenerimit të tij, në mënyrë që të përshtatet me ekipin dhe të jetë sa më i gatshëm për ndeshjet e ardhshme.”

Ndërsa për Edon Zhegrovën, i cili po gjen më shumë minuta te Juventusi, Foda theksoi:
“Kemi parë që ai ka filluar të marrë më shumë minuta dhe kjo për ne është shumë e rëndësishme. Duam që ai të rikthehet në formën më të mirë të mundshme dhe do të mundohemi që t’i sigurojmë më shumë minuta edhe me ekipin kombëtar.”

“E kemi analizuar mirë Slloveninë”

Tekniku gjerman nënvizoi se ekipi është përgatitur në detaje për Slloveninë, e cila ka ndryshuar sistemin e lojës.
“Faleminderit për urimin, por ende nuk e kemi arritur atë që e dëshirojmë. Për ne është shumë me rëndësi që në ndeshjen e radhës të triumfojmë dhe të shkruajmë histori duke u kualifikuar tutje. Ne e kemi analizuar lojën tonë kundër Sllovenisë dhe mënyrën se si ata kanë luajtur kundër Zvicrës. Ata e kanë ndryshuar sistemin nga 3-4-3 në një formacion më defanziv, 5-4-1, dhe tani ne jemi më të përgatitur. Kemi më shumë mundësi te lojtarët si Rrahmani, Dellova dhe Zabërgja. Duhet të përqendrohemi maksimalisht, sepse është shumë me rëndësi që të fitojmë të paktën një pikë dhe të sigurojmë kualifikimin në play-off.”

Rreth Ramajt dhe Ibrahimoviqit

Në pyetjen për Diant Ramajn dhe Arjon Ibrahimoviqin, Foda tregoi se ka pasur kontakt me ta:
“Në parim, është e rëndësishme të flasim për futbollistët që i kemi të grumbulluar dhe që aktualisht po luajnë për Kosovën. Megjithatë, kemi pasur kontakt me lojtarët Ramaj dhe Ibrahimovic. Ibrahimovic tani është ftuar për Kombëtaren U21 të Gjermanisë, por nuk përjashtohet mundësia që në të ardhmen të luajnë për Kosovën, pasi jemi në kontakt. Por tani duhet të përqendrohemi te futbollistët që janë këtu dhe në këto dy ndeshje që na presin.”

“Jemi të bashkuar dhe me vetëbesim”

Në fund, Foda e vlerësoi lart kundërshtarin e radhës, por u shpreh i bindur në forcat e “Dardanëve”:
“Sllovenia ka treguar se është një skuadër shumë e mirë dhe e fortë, gjë që e ka dëshmuar edhe në ndeshjen ndaj nesh në Kosovë. Ata janë të kompletuar në mbrojtje dhe është e vështirë t’u shënosh gol, sidomos kur luajnë si vendas. Por ne jemi rikthyer të përgatitur dhe me vetëbesim të lartë. Kemi lejuar shumë pak raste për kundërshtarët dhe tani është momenti që të tregojmë cilësitë tona në të gjitha fazat e lojës. E kemi dëshmuar kundër Suedisë se mund të fitojmë edhe jashtë, si mysafirë.”

Kosova do ta zhvillojë ndeshjen e parafundit të ciklit kualifikues për Botërorin 2026 kundër Sllovenisë më 15 nëntor në Lubjanë, ndërsa tri ditë më vonë, më 18 nëntor, do të përballet me Zvicrën në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në ndeshjen e fundit të këtij cikli kualifikues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *