Flick: Liverpool, një nga ekipet e mia të preferuara të momentit

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka shprehur admirim të veçantë për Liverpoolin, duke i cilësuar atë si një nga ekipet më të forta dhe të preferuara të tij për momentin. Në një konferencë për shtyp, Flick i konsideroi “The Reds” si favoritë për trofeun e këtij sezoni të Champions League.

Liverpool ka dominuar fazën e parë të Champions League këtë sezon, duke siguruar gjashtë fitore nga gjashtë ndeshje dhe duke u pozicionuar në krye të grupit. Performanca e tyre ka tërhequr vëmendjen e shumë ekspertëve dhe trajnerëve, përfshirë Flick-un, i cili u shpreh: 

“Kur shikoj Liverpool-in, shoh një ekip me fuqi të jashtëzakonshme. Ata janë një nga ekipet e mia të preferuara në botë për momentin”, tha Flick.

Barcelona, nën drejtimin e Flick, gjithashtu po zhvillon një sezon të ngjeshur, duke konkurruar në tre fronte kryesore: Champions League, La Liga dhe Copa del Rey. Megjithëse renditet e dyta në grupin e Champions League, tre pikë pas Liverpool-it, Flick mbetet optimist për suksesin e skuadrës së tij.

“Ne po bëjmë mirë, por ka skuadra shumë të mira që gjithashtu po shkëlqejnë. Ne po luftojmë për të mbetur konkurrues në të gjitha kompeticionet”, tha Flick. 

Barcelona ka regjistruar një arritje të rëndësishme së fundmi, duke triumfuar në Superkupën e Spanjës me një fitore mbresëlënëse 5-2 ndaj rivalëve të përjetshëm, Real Madrid. Gjithashtu, skuadra ka arritur në çerekfinale të Kupës së Mbretit, ndërsa në La Liga renditet e treta, në një konkurrencë të fortë për titullin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *