Fitore e madhe në “Fadil Vokrri”

Kombëtarja e Kosovës ka shënuar fitore të rëndësishme në përballjen e parë të “play-off”-it për inkuadrim në Ligën B të Ligës së Kombeve. Në një atmosferë madhështore në stadiumin e stërmbushur “Fadil Vokrri”, Dardanët triumfuan me rezultat 2:1.

Kosova nisi ndeshjen me dominim dhe pas disa rasteve të krijuara arriti të kalojë në epërsi në minutën e 19-të. Qendërmbrojtësi i CSKA Sofjes, Lumbardh Dellova, realizoi golin e tij të dytë me fanellën e Kosovës me gjuajtje nga distanca, pas një asistimi nga kapiteni Amir Rrahmani.

Megjithatë, gëzimi i tifozëve kosovarë zgjati vetëm tre minuta, pasi kundërshtarët barazuan shifrat në minutën e 22-të me anë të kapitenit të tyre, Orri Oskarsson.

Në pjesën e dytë, Kosova vazhdoi me iniciativën dhe arriti të rikthejë epërsinë falë një gjuajtjeje të saktë nga distanca të mesfushorit të Augsburgut, Elvis Rexhbeçaj, në minutën e 58-të. Për Rexhbeçajn, ky ishte goli i tij i parë me Kosovën në ndeshjen e gjashtë.

Kosova kishte mundësi të dyfishonte epërsinë, por goli i Amir Rrahmanit në minutën e 76-të u anulua nga gjyqtari, derisa raste të mira lëshuan edhe Milot Rashica dhe Ermal Krasniqi.

Portieri Arijanet Muriq ishte një nga lojtarët më të dalluar të mbrëmjes, duke shpëtuar ekipin në disa raste të rrezikshme.

Në këtë ndeshje debutimin e tij me Kosovën e shënoi edhe mesfushori i Altachut, Vesel Demaku.

Ndeshja kthyese do të zhvillohet më 23 mars në Murcia të Spanjës, për shkak të renovimit të stadiumit në Reykjavik.

Kosova synon të sigurojë edhe një fitore ose të ruajë epërsinë nga ndeshja e parë për të kompletuar rrugëtimin drejt Ligës B të Ligës së Kombeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *