Filloi seminari katërditor për gjyqtarët e futbollit; Ademi garanton drejtësi maksimale në edicionin e ri

Ka nisur sot seminari katërditor për gjyqtarët e futbollit, i cili i paraprin fillimit të edicionit të ri të futbollit në vendin tonë. Ky seminar do të ofrojë mundësi të jashtëzakonshme për përmirësimin e aftësive dhe përgatitjen e gjyqtarëve kosovarë për kampionatin e ardhshëm, që nis më 10 gusht.
Krahas punës teorike dhe analizave të ndryshme të situatave komplekse në ndeshje, gjyqtarët do të kenë edhe punën praktike në Kampin Nacional në Hajvali, ku në fund do t’i nënshtrohen edhe testeve fizike.
Në këtë seminar po ligjërojnë Alan Snoddy – instruktor teknik i FIFA-s, Simon Breivik – instruktor i fitnesit i FIFA-së dhe trajner i fitnesit të gjyqtarëve të Premier Ligës Angleze, si dhe Alexandru Deaconu, përgjegjës i Konventës për Kosovën në UEFA dhe instruktor teknik i UEFA-s.
Në hapje të këtij seminari ishte i pranishëm edhe presidenti Agim Ademi, i cili shprehu kënaqësinë e tij të veçantë për praninë e ekspertëve ndërkombëtarë të kësaj fushe. “Kënaqësi e veçantë të mirëpresim në Kosovë emrat e shquar të drejtësisë në futbollin botëror si Alan Snoddy, Simon Breivik dhe Alexandru Deaconu”, tha ai.
Kreu i FFK-së ka theksuar gjithashtu rëndësinë e këtij kampi në avancimin e gjyqtarëve dhe përmirësimin e nivelit të drejtësisë në kampionat. “Falenderojmë mentorët e dërguar nga FIFA dhe UEFA për mbështetje të çmuar në avancimin e gjyqtarëve tanë dhe për përkushtimin e tyre në zhvillimin e këtij sektori në futbollin e Kosovës. Ky seminar është hap i rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit dhe ngritjes së gjyqtarëve jo vetëm në ndarjen e drejtësisë në kampionatin vendor, por edhe në rritjen e numrit të përfaqësimit të vendit me stemën e FIFA-s”, ka nënvizuar ai.
Presidenti i FFK-së ka kërkuar që të gjithë pjesëmarrësit e këtij seminari të angazhohen për të ofruar një gjykim të drejtë dhe me integritet të lartë në të gjitha ndeshjet, derisa ka garantuar klubet për drejtësi maksimale në edicionin e ri.
Gjatë këtij kampi, gjyqtarët elitarë dhe ata të kategorisë së parë do të kenë mundësinë të përfitojnë nga një analizë e thellë e vendimeve dhe veprimeve të tyre, si dhe të angazhohen në diskutime rreth rregullave të lojës dhe testimet fizike që do të ndihmojnë në ngritjen e standardeve të tyre profesionale.



