FFK ngushëllon familjen Zasella

Dje në moshën 59-vjeçare ka ndërruar jetë punëtori i dalluar sportiv i Mitrovicës, Ali Zasella. Ai ishte për 8 vjet kryetar i Lidhjes Rajonale të futbollit të Mitrovicës, derisa shquhej si donator për shumë sporte të këtij qyteti. I ndjeri është babai i gjyqtarit të Superligës, Erdall Zasella. Telegram ngushëllimi kësaj familje i ka dërguar edhe FFK, e cila vdekjen e Aliut e ka vlerësuar i humbje të madhe për familjen e gjerë të futbollit

Telegrami i plotë i FFK-së

E nderuar Familje Zasella!

Me pikëllim të madh e morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj Ali Zasella, andaj më lejoni që në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë të ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.

Ikja e hershme e Aliut nga kjo botë ka lënë zbrazëti të madhe në familjen tuaj, por edhe në familjen e gjerë të futbollit.

Ai që nga rinia e tij e hershme ishte pjesë e futbollit, fillimisht si portier në vitet e 80-ta e 90-ta në KF Birlik, e më pas edhe si drejtues dhe donator i këtij klubi.

Aliu si biznismen i shquar ishte gjithmonë afër futbollit, teksa dha kontributin e tij për të gjitha sportet në qytetin e Mitrovicës.

Ai nga viti 2008 për dy mandate katërvjeçare e udhëhoqi Lidhjen Rajonale të Mitrovicës, duke qenë shembull i organizimit dhe ndikuar në masovizimin e futbollit e në përmirësimin e kushteve në të gjitha aspektet në këtë regjion.

Aliu njihej si njeri i urtë, i palodhshëm e këmbëngulës në arritjen e objektivave dhe personalitet me vlera të mëdha intelektuale e humane, andaj si i tillë do të kujtohet përherë.

I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *