FFK: Koerografia luftënxitëse dëshmon se Serbia nuk ka ndryshuar nga qasja agresore

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka reaguar ashpër dhe ka shprehur zemërimin dhe shqetësimin e saj, në lidhje me koreografinë skandaloze dhe luftënxitëse të tifozëve të klubit nga Serbia, Cërvena Zvezda. Tifozët serb në ndeshjen miqësore që Zvezda e luajti kundër Fiorentinës në Beograd të mërkurën, paraqitën në tribuna një tank si koreografi me simbolikën kundër Kosovës.
Këtë veprim, FFK-ja e ka quajtur si akt të papranueshëm për sportin, sidomos për faktin që ka ardhur në periudhën e tensioneve midis dy vendeve. Kjo ka bërë që FFK-ja, menjëherë të paraqes ankesë në UEFA në lidhje me këtë çështje, duke kërkuar nga organi evropian i futbollit që me urgjencë ta trajtoj rastin dhe të marrë masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të tij.
“Ky akt i shprehur publikisht, i shoqëruar edhe me slogane provokuese, dëshmon se opinioni në Serbi dhe autoritetet e atjeshme nuk kanë ndryshuar aspak nga qasja agresore dhe njëherësh është një provokim i hapur ndaj sportit të futbollit dhe Republikës së Kosovës. Federata e Futbollit të Kosovës ka vepruar në përputhje me rregulloret dhe parimet e UEFA-së, duke paraqitur ankesë zyrtare për këtë çështje. Ne kemi kërkuar nga organet e UEFA-së që ta hetojnë me urgjencë këtë rast dhe të marrin masa të ashpra ndaj klubit dhe tifozëve të Crvena Zvezdës, në mënyrë që veprimet e tilla shoviniste dhe provokimet e ngjashme të parandalohen në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
“Ky rast na bën të kuptojmë se duhet urgjentisht organet e UEFA dhe FIFA të marrin masa më të ashpra kundër shkeljes së parimeve dhe vlerave bazë të lojës së futbollit. Shpresojmë dhe besojmë që ankesa e reagimi jonë do të merret seriozisht dhe ata që nxisin urrejtje nëpërmjet futbollit do të ndëshkohen”. Në fund, FFK-ja ka shkruar se si institucion vazhdon ti promovojë vlerat e vërteta të futbollit.
Në ndeshjen miqësore mes Cërvena Zvendës dhe Fiorentinës që u zhvillua të mërkurën në Beograd, tifozët e saj, “Delije”, pos koreografisë me tanke, kanë shpalosur edhe mesazhin ku ushtria të kthehet në Kosovë.Kur po luhej ndeshja, në minutën 12:44, tifozët shfaqën koreografinë në fjalë, duke aluduar në Rezolutën 12 44, e caktuar nga OKB-ja për Kosovën pasluftës.