February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 15, 2026

E fitoi Superkupën e Italisë, por Conte thotë se Napoli nuk është aspak gati për ta dominuar futbollin italian

Antonio Conte këmbëngul se Napoli “nuk është aspak afër të qenit gati” për të dominuar futbollin italian, edhe pse ka fituar Scudetton dhe Superkupën.

Kjo është edicioni i tretë i Superkupës për Partenopejt, të fituar më parë në sezonet 1990-91 dhe 2014-15, por vlen të theksohet se vetëm herën e parë ajo u shoqërua me dopietë bashkë me Scudetton.

Napoli e kaloi AC Milanin me rezultat 2-0 në gjysmëfinale në Riad dhe mposhti Bolonjën me të njëjtin rezultat në Finale, ku David Neres ishte heroi i mbrëmjes me dy golat e shënuar.

“Djemtë meritojnë urime për një turne të përkryer, si ndaj Milanit ashtu edhe ndaj Bolonjës,” tha Conte për Sport Mediaset.
“Ata treguan sa shumë e donin këtë trofe për tifozët dhe tani do të kemi edhe një festë të bukur të Krishtlindjeve me një trofe të ri në vitrinë. Vijmë pas një Scudettoje dhe një Superkupe Italiane, duke mposhtur ekipe shumë të forta si Interi, Milani dhe Bolonja.”

Kjo është Superkupa e dytë e Contes në karrierë, pas asaj të fituar me Juventusin në sezonin 2013-14, dhe trofeu i dytë i tij me Napolin.

Conte kishte thënë në konferencën e djeshme për shtyp se në finalet e kupave mbahen mend vetëm fituesit, ndaj a po ndërton ai një skuadër vërtet të paharrueshme?

“Ata që fitojnë mbeten në histori. Mos harroni se Napoli humbi finalen e Superkupës dy vite më parë ndaj Interit, por pak e kujtojnë këtë. Ne patëm një rrugëtim të jashtëzakonshëm për të fituar Scudetton, mposhtëm një ekip të madh si Milani në gjysmëfinale, por në futboll ka rëndësi vetëm kush fiton.”

“Askush nuk shkon të shohë finalistët e mundur, sepse edhe unë kam humbur shumë finale si lojtar dhe trajner,” vazhdoi Conte.
“Askush nuk mban mend që kam qenë nënkampion bote, finalist i Europianit apo që kam humbur tre finale të Ligës së Kampionëve. Ata mbajnë mend që si lojtar kam fituar një Champions League dhe një Kupë Interkontinentale.”

“Kur humb një finale, rritet vendosmëria për të mos i përjetuar më ato momente të shëmtuara. Të dhembin, sepse e di që rrugëtimi ka qenë i mirë, por duhet t’i vendosësh qershinë mbi tortë.”

Bolonja ishte për herë të parë në historinë e saj pjesë e Superkupës Italiane, pasi fitoi Kupën e Italisë sezonin e kaluar, duke i dhënë fund një pritjeje 51-vjeçare për trofe.

“Dua ta përgëzoj Bolonjën, sepse tani janë protagonistë të vërtetë të futbollit italian. Fitimi i Kupës së Italisë, eliminimi i Interit në gjysmëfinale dhe konkurrenca e fortë sonte meritojnë lavdërime për Vincenzo Italianon, lojtarët dhe klubin.”

Duke qenë se Napoli ka fituar dy nga tre titujt e fundit në Serie A dhe tani edhe Superkupën, a janë ata forca kryesore e futbollit italian përpara Interit dhe Milanit?

“Jo, nuk do të ndihesha aspak rehat ta thoja këtë,” këmbënguli Conte. “Do të ishte gënjeshtër. Titullin e fituam sezonin e kaluar me një skuadër shumë të ngushtë, këtë verë afruam shumë lojtarë të rinj dhe për këtë arsye nuk jemi aspak gati të dominojmë.”

“Në fakt, nëse shikoni tabelën e Serie A, duhet të përpiqemi të qëndrojmë sa më afër zonës së Ligës së Kampionëve, sepse ky do të jetë një vit shumë i vështirë. Parashikimi i katër vendeve të para do të jetë jashtëzakonisht i vështirë.”

“Me përulësi, duhet ta kuptojmë se puna është e vetmja mënyrë për t’u ngjitur lart. Nuk mund të them se jemi gati të komandojmë, sepse nuk jemi as afër kësaj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *