Dubravka: Kosova ka kualitet, por ne synojmë Botërorin
Martin Dubravka, portieri i parë i Sllovakisë, do të jetë një nga figurat kyçe në gjysmëfinalen e plejofit ndaj Kosovës, që zhvillohet më 26 mars në Bratislavë. 36-vjeçari, aktualisht pjesë e Burnleyt në Premier League, ka një karrierë të pasur, me vite të kaluara te Newcastle United, paraqitje te Manchester United, si dhe aventura në Sparta Pragë, Slovan Liberec, Esbjerg dhe Zhilina.
Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës së Futbollit të Sllovakisë, Dubravka ka folur me respekt për Kosovën.
“Mendoj se Kosova ka kualitetin e saj. Rezultatet në kualifikime e dëshmojnë këtë. Gjithsesi, ne kemi synime të mëdha dhe duam të avancojmë në Kampionatin Botëror”, ka thënë ai.
Skuadra që kalon në këtë duel do të luajë në finale të plejofit më 31 mars ndaj fituesit të ndeshjes Turqia – Rumania. Fituesi i finales siguron biletën për Botërorin 2026, ku e pret një grup shumë interesant me SHBA-në, Paraguain dhe Australinë.
“Grupi është shumë interesant. Besoj se do të jemi të suksesshëm në plejof dhe që do të jemi në gjendje të përballemi me këto përfaqësuese”, ka theksuar Dubravka.
Për Kosovën është shprehur edhe Tomash Bobçek, sulmuesi 24-vjeçar i Lechia Gdansk në Poloni, i cili ka dy ndeshje dhe një gol me kombëtaren sllovake – gol që më 14 nëntor ndaj Irlandës së Veriut i siguroi vendin në plejof.
“Nuk e njoh shumë këtë kundërshtare, por fakti që ka arritur në plejof dëshmon mjaftueshëm. Për disa muaj, trajnerët tanë do ta ‘lexojnë’ Kosovën mirë, në mënyrë që në mars të jemi më të mirë dhe të avancojmë tutje”, ka deklaruar Bobçek.
