Drita shkruan histori në “Fadil Vokrri”, fiton në derbin shqiptar të Evropës
Në një atmosferë elektrizuese dhe plot emocione në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku rreth 8 mijë tifozë krijuan një skenë festive të vërtetë, FC Drita ka shënuar një fitore të madhe në përballjen historike ndaj Shkëndijës së Tetovës në UEFA Conference League. Përderisa në tribuna festonin bashkë “Intelektualët” dhe “Ballistët”, në fushë të gjithë lavdinë e mori kampionia e Kosovës.
Skuadra gjilanase triumfoi me rezultat minimal 1:0 në xhiron e katërt të fazës së ligës, falë golit të Arb Manajt në minutën e 20-të. Sulmuesi i Dritës përfitoi nga një top i larguar jo mirë nga mbrojtja tetovare dhe shënoi nga afërsia, duke i dhënë ekipit të tij epërsinë që në fund rezultoi vendimtare.
Kjo ndeshje shënoi edhe momentin historik kur dy skuadra shqiptare u përballën për herë të parë në garat e UEFA-s—a sa për të nënvizuar rëndësinë e mbrëmjes, atmosfera në tribuna ishte madhështore. Koreografitë, brohoritjet dhe mesazhet me motive kombëtare e kthyen këtë sfidë në një festë të futbollit shqiptar.
Në fushë, dueli ishte i fortë dhe me intensitet të lartë. Shkëndija rrezikoi seriozisht në pjesën e dytë: Liridon Latifi goditi traversën nga një gjuajtje e lirë në minutën e 56-të, ndërsa një goditje e Besart Ibraimit u ndal me vështirësi nga portieri Faton Maloku. Drita, përkundër detyrimit për të zëvendësuar dy nga lojtarët kyç – Rron Brojën dhe golashënuesin Arb Manaj – për shkak dëmtimeve, menaxhoi në mënyrë perfekte epërsinë deri në minutën e fundit.
Me këtë triumf, Drita bën hapin më të madh drejt fazës së eliminimit direkt, duke u ngjitur në kuotën e tetë pikëve dhe duke e forcuar edhe më shumë statusin e saj si krenaria e futbollit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Ndeshjen e radhës Drita e luan kundër skuadrës holandeze, AZ Alkmaar më 11 dhjetor, derisa Shkëndija luan në Shkup kundër Slovan Bratislavës.

