Drita gabon, Ballkani sërish lider dhe tani titullin e ka në duar
Drita ka bërë një hap prapa në luftën për titullin e kampionit në Superligën e Kosovës në futboll, pasi është ndalur me barazim 1-1 në derbin lokal me Gjilanin. Skuadra e trajnerit grek Vavalis ishte në epërsi me golin e Brojës nga minuta e 32’, por Gjilani barazoi shifrat në minutën e 82’ me golin e Mevlan Zekës nga penalltia.
Ky barazim i ka kushtuar me humbjen e vendit të parë Dritës, pozitë të cilën tani e mban Ballkani pas fitores ndaj Llapit.
Skuadra e Ilir Dajës e mposhti atë të Tahir Batatinës me rezultat minimal 1-0 në Suharekë ,e golin e realizuar në minutën e 31’ nga Albion Rrahmani. Me këtë fitore Ballkani ka bërë një hap të madh drejt mbrojtjes së titullit të kampionit dhe tashmë gjithçka është në duart e skuadrës portokallezi.
Pas xhiros së 34, Ballkani ka 69 pikë në vendin e parë, kurse Drita është e dyta me 67 sosh.
Sfidë interesante u zhvillua edhe në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, aty ku Malisheva dhe Prishtina luajtën baras me rezultat 1-1.
Në dy ndeshjet tjera të kësaj xhiroje, Dukagjini e mposhti Drenicën me rezultat 4-1, kurse Trepça ’89 u mposht nga Ferizaj me rezultat 1-0. Ferizajasit me këtë fitore kanë bërë hap të madh drejt shmangies nga rënia nga elita.
