Dhuna në ndeshjen Deçani – Prizreni, skuadra vendase merr dënimin e merituar

Komisioni Disiplinor i Federatës së Futbollit të Kosovës ka marrë masa ndaj skuadrës së Deçanit, pas dhunës së shfaqur ne ndeshjen e Ligës së Dytë ndërmjet Deçanit dhe Prizrenit.

Ndeshja ishte ndërprerë pas rrahjes së futbollistëve në fushë dhe nga kjo situatë ka pësuar Deçani si organizatore e ndeshjes.

Njoftimi i FFK-së:

Komisioni Disiplinor dhe Etikës i shkallës së parë në përbërje: Metë Çeku-kryetar, Avni Shala dhe Donat Lushaku – anëtarë, duke u mbështetur në nenin 63, paragrafi 1 dhe paragrafi 4, të Statutit të FFK-së , si dhe nenit 8, Paragrafi 4 pika e), të Rregullorës Disiplinore, neni 6, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 pika b) e Kodit të Etikës së FFK-së dhe neni 52 paragrafi 1 pika h) dhe neni 53 pika d të Propozicioneve të Garave 2023-2024, në mbledhjen e mbajtur me datë 19.09.2024 , shqyrtoj procedurën e hapur disiplinore nga KF”Deçani” për lëshim në organizim të ndeshjes së javës së dytë të Ligës së Dytë Deçani-Prizreni zhvilluar me datë 08.09.2024 në Isniq, merr këtë:

VENDIM

KF ”Deçani” i shqiptohet masa disiplinore “zhvillim i 3 (tre) ndeshjeve në terren jashtë stadiumit të qytetit të Deçanit, pa praninë e shikuesve“, i cili është i ekzekutueshëm nga dita e nxjerrjes së këtij vendimi.

Arsyetim

Me datë 08.09.2024 me fillim nga ora 17:00 është zhvilluar ndeshja e xhiros së dytë të Ligës së Dytë, Deçani-Prizreni. Në këtë ndeshje brenda fushës janë manifestuar sjellje të ashpra josportive, përleshje në mes të lojtarëve të dyja skuadrave.

Meqenëse KF ”Deçani”, ka dështuar që mbarëvajtja e ndeshjes të jetë konform dispozitave e akteve normative të FFK-së, të njëjtit kanë dështuar që të veprojnë konform nenit 53, pika d) të Rregullores Disiplinore ku parashihet se “Klubi organizator i ndeshjes në terrenin e të cilit para, gjatë dhe pas ndeshjes, lidhur me ndeshjen ndodhin trazira dhe nëse vërtetohet se nuk ka ndërmarr masat e mjaftueshme, dënohet”. Tutje në të njëjtin nen janë të listuara masat disiplinore të cilat mund të shqiptohen në varësi nga shkelja e bërë nga ana e klubit. Pra në pikën e këtij neni parashihet si masë disiplinore “në raste të tentimit të sulmit të publikut ndaj personave zyrtar apo futbollistëve të të dy ekipeve – mund të dënohet me zhvillimin e ndeshjeve jashtë fushës së stadiumit të vetë pa praninë e shikuesve“.

Duke ju referuar raporteve të zyrtarëve të ndeshjes si dhe incizimeve dhe të emisioneve sportive si provë materiale, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i FFK-së si organ i shkallës së parë ka vendosur që ndaj KF “Deçani”, të ndërmarrë masa disiplinore sikurse në dispozitiv të këtij vendimi pasi sjelljet e tilla janë të papranueshme dhe në kundërshtim me aktet normative të FFK-së dhe si të tilla duhen ndëshkuar.

Në nenin 8, paragrafi 4, pika e), të Rregullores Disiplinore të FFK-së parashihet masa disiplinore “zhvillimi i ndeshjeve në terren të vetë pa praninë e shikuesve”.

Sjelljet e tilla janë të papërshtatshme, të papranueshme dhe josportive kjo mund të shkaktojë dëme për imazh dhe integritetin e sportit në përgjithësi. Ky vendim është i nevojshëm për të mbrojtur integritetin dhe imazhin e sportit dhe për të zbatuar rregullat dhe normat e përgjithshme të sjelljes sportive konform akteve normative të FFK-së.

Andaj bazuar në këto gjendje faktike të lartcekura, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës vendosi sikurse në dispozitiv të këtij vendimi.

Këshilla juridike:

Pala e pakënaqur me këtë vendim ka të drejtë ankese në afatin kohor prej 8 (tetë) ditësh, nga data e publikimit të vendimit në web faqen zyrtare të FFK-së, përmes këtij Komisioni tek Komisioni i Ankesave. Ankesa e ushtruar ndaj këtij vendimi nuk e ndalon ekzekutimin e vendimit.

Prishtinë: 19.09.2024
Komisioni Disiplinor dhe i Etikës-shkalla e parë
Kryetar: Metë Çeku

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *