Deschamps do të vendosë në janar nëse do të mbetet trajner i Francës

Trajneri i Francës, Didier Deschamps, thotë se do të mendojë për të ardhmen e tij në janar, pas humbjes së dhimbshme në finalen e Kupës së Botës ndaj Argjentinës me penallti. Franca nuk arriti të bëhej skuadra e dytë që mbron titullin e saj botëror pasi humbi 4-2 në penallti pas një barazimi 3-3 në Doha dhe Deschamps pranon se duhet të mendojë për të ardhmen.
“Edhe sikur të kishim fituar, nuk do t’i përgjigjesha kësaj pyetjeje. Tani jam i trishtuar për futbollistët dhe ekipin tim. Do të kemi një takim me presidentin e Federatës së futbollit në fillim të vitit të ardhshëm dhe më pas do ta merrni vesh. Ekipi u gjend në një situatë të vështirë, ndoshta psikologjikisht dhe fizikisht të pazakontë. Por nuk isha i shqetësuar për titullarët. Ata ishin 100 për qind në formë, por ndoshta ishin pak të lodhur sepse kishim vetëm katër ditë pushim”, tha Deschamps.
Kontrata e Deschamps me FFF-në përfundoi me turneun në Katar dhe presidenti francez Emmanuel Macron i ka kërkuar tashmë federatës t’i japë atij një kontratë të re. Në të njëjtën kohë, mediat franceze po spekulojnë se zëvendësues i mundshëm i Deschamps do të jetë ish-bashkëlojtari i tij nga kombëtarja, Zinedine Zidane.