Dardanët stërviten nën reshjet e shiut, por me përkushtim

Kombëtarja dardane ka mbajtur sot paradite stërvitjen e radhës në Kampin Nacional në Hajvali nën reshjet e shiut, të cilat kanë sjellur freski tek lojtarët. Përzgjedhësi Alain Giresse ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët, teksa së bashku me stafin e tij krahas ushtrimeve të zakonshme fizike dhe atyre me top, ka punuar në tranzicion të ekipit nga faza e mbrojtjes në atë të sulmit dhe anasjelltas. Përkushtimi i Dardanëve në stërvitje është maksimal, derisa dëshira që në dy ndeshjet e radhës të marrin rezultat pozitiv është e madhe, të vetëdijshëm për faktin se vetëm në këtë mënyrë mbesin në garë për kualifikim në Euro 2024. Dy të grumbulluarit për herë të parë në Kombëtare për ndeshje zyrtare, Jetmir Topalli dhe Ermal Krasniqi janë shprehur të lumtur që janë pjesë e grumbullimit për dy përballjet shumë të rëndësishme kundër Rumanisë dhe Bjellorusisë.




