Daja: Forma e Ballkanit po rritet

Trajneri Ilir Daja ishte i matur në deklaratën pas ndeshjes së fituar thellë 7:2 ndaj Trepçës ’89, teksa ka shtuar se forma e Ballkanit po shënon ngritje graduale.
Ai nënvizoi se Ballkani e ka respektuar në maksimum skuadrën e ’89-shit gjatë tërë ndeshjes.
“Nganjëherë rezultati duket sikur e ke mposhtur kundërshtarin në të gjitha drejtimet. Por, ne e respektuan Trepçën ’89 në maksimum. Në periudhën e fundit kjo skuadër ka bërë paraqitje të mirë. Për asnjë moment nuk e ulëm ritmin. Na vjen mirë që vazhdojmë ciklin e fitoreve. Jemi duke e ngritur gradualisht formën tonë. Nuk kemi pasur formë të dobët, por nuk e kemi pasur formën më të mirë. Besoj që sot kemi qenë efikas dhe realizuam ato situatat para portës”, ka thënë fillimisht Daja.
Trajnerin tiranas e gëzon fakti se lojtarët po luajnë për njëri-tjetrin.
“Me asistime të Albion Rrahmanit dhe Armend Thaqit jemi mësuar. Më vjen mirë që Berisha u prezantua me dy gola dhe ajo që më gëzon është se lojtarët edhe kur janë në pozita për të shënuar, luajnë me njëri-tjetrin. Do të veçoja edhe prezantimin e 17-vjeçarit Dulaj që ka një të ardhme goxha të mirë”, shtoi trajneri Daja.
Krenar Dulaj është sulmues, ndërsa sot e luajti ndeshjen e tij të parë në Superligë.
Me fitoren ndaj ’89-shit, Ballkani mbetet në vendin e parë në Superligë.