Daja: Duhet të japim shpirtin në fushë ndaj Ludogorets

Trajneri i Ballkanit, Ilir Daja, ka thënë se nesër lojtarët duhet të japin shpirtin në fushë në ndeshjen ndaj Ludogoretsit në rrethin e parë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.
Daja, në konferencën për shtyp, tregoi se skuadra është e përgatitur, teksa potencoi se do të tentojnë që ta përfaqësojnë Kosovën njëjtë si në vitin e kaluar, raporton Klankosova.tv.
“Në takimin e parë eliminator me një kundërshtar si Ludogorets është e vështirë, është fakti edhe në këtë pjesëmarrje të dytë në kupat eliminatore të kompeticioneve evropiane, të bëjmë më të mirën të mundshme, jemi të përgatitur, ekipi ka ardhur në formën e duhur. Duke u përballur me një vlerë akoma më të madhe se ne, duhet të japim më shumë se potenciali i vet, duhet të japim shpirtin në fushë për shkak të përballjes me një ekip të fortë”, u shpreh Daja.
“Ta prezantojmë futbollin e Kosovës denjësisht ashtu siç bëmë edhe në vitin e kaluar”.
Kujtojmë, ndeshja do të zhvillohet gjatë ditës së marte, me fillim nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.